Banorët ankohen për punime të pakryera në prag të inaugurimit të rrugës së Arbërit

1098
Shtëpia e Mane Cakonit në Fshat Klos, e rrethuar nga degëzimet e rrugës. Foto: Sami Curri.

Sa herë bie shi, Mario Doka nga Fshati i Klosit i duhet të përleshet me rrëketë. Ai thotë se ato vijnë nga kanalet e papërfunduara të një degëzimi të Rrugës së Arbërit, që lidh Matin me rrugën kryesore.

Sipas banorit, punimet në rrugë kanë devijuar ujërat e rrëkeve dhe ato vijnë të gjitha mbi shtëpinë e tij dhe megjithëse ishte premtuar ndërhyrje mbrojtëse, kjo nuk ka ndodhur.

“Problemet janë pa fund, se vijnë e thonë në fillim se do të bëjmë murin, do të bëjmë këtë e atë dhe sa fusin këmbët, nuk mbajnë asnjë lloj premtimi, sikur me u tall,” tha Doka.

Rruga e Arbërit dhe degëzimi që prek familjen Doka po ndërtohet përmes partneritetit publik-privat nga kompania “Gjoka Konstruksion”. Sipas kontratës së miratuar nga Këshilli i Ministrave, projekti pritet t’u kushtojë taksapaguesve 40 miliardë lekë kosto ndërtimi dhe interesa përgjatë 13 viteve. Rruga e Arbërit do të lidhë Tiranën me kufirin në Maqedoninë e veriut në Dibër, përmes një rruge malore rreth 100 kilometra të gjatë.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se rruga do të ingaugurohej më 29 nëntor. Megjithatë, një duzinë banorësh nga Fshati i Klosit ankohen se ndryshe nga premtimet, muret mbrojtëse dhe kanalizimet nuk janë përfunduar, duke u rrezikuar atyre banesat dhe jetën.

Kompania “Gjoka Konstruksion” i tha BIRN se ishte bërë një ballafaqim me banorët në 6 nëntor dhe ishte arritur një marrëveshje, në prani edhe të kryebashkiakut të Klosit, Ilmi Shehu.

“Si rezultat i këtij ballafaqimi të kryer, ju informojmë se palët e interesuara janë sqaruar dhe dakordësuar,” tha kompania.

Por Mario Doko mohon që të jetë arritur ndonjë dakordësim. Ai pranoi se takimi ishte zhvilluar dy ditë pasi BIRN vizitoi zonën, por shtoi se ata nuk morën zgjidhje.

“Nuk kemi arritur asnjë marrëveshje. Kanë ardhur sa me na hedh hi syve, se po ju dëgjojmë. As muret dhe as dëmet tjera nuk i kanë zgjidhur,” tha Doka në një bisedë telefonike.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Klos nuk iu përgjigjen pyetjeve për koment në lidhje me akuzat e banorëve.

Banorët e zonës thonë se prej kohësh janë përballur me indiferencë, si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga kompania koncesionare. Sipas tyre, edhe në fillim të punimeve, kishte një dakordësi me kompaninë se do të ndërtoheshin muret mbrojtëse dhe do të kompensoheshin dëmet në banesa, por ata deklarojnë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Unë ju kam thënë, se mirë nuk më shpërbleni se jam pa letra (për shtëpinë), por të paktën më bëni mure betoni. Se muret që kam bërë vetë nuk mbajnë makinë se janë plit betoni,”tha Mane Cakoni, që ka një shtëpi në një pikë kur rruga ndahet në dy degëzime.

Cakoni thotë se mungesa e mureve i cënon sigurinë asaj dhe familjes së saj, por ajo nuk di ku të ankohet më tej. “Unë nuk mund të bëhem roje e shoferëve. Se këtu do të bëhet me asfalt e do të shkojnë makinat plumb pushke,” thotë gruaja.

Doka thotë se pas protestave të tyre për ndërtimin janë përballur edhe me presione.

“Unë nuk dua lek, por me duhet që të bëj murin asgjë tjetër. Bëjnë presione nga të gjitha anët. Thonë do të bie policinë. Ata duke punu dhe policia rrin aty. Unë nuk jam kundër që të mos ndërtohet rruga, por murin bëje. Sistemimin bëje, por këta asgjë,” përfundoi ai.