Dhoma e Avokatisë prej disa javësh ka bojkotuar proceset gjyqësore, gjithashtu edhe masat e sigurisë, në shenjë proteste kundër projektit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore që shkrin 5 nga gjykatat e apelit në vend, një sërë gjykatash të shkallëve të para dhe disa nga gjykatat administrative. Kësaj proteste i janë bashkuar edhe avokatët e Dhomës Vendore të Avokatisë në Dibër e Mat. “Avokatët i janë bashkuar unanimisht bojkotit të seancave gjyqësore, përfshirë edhe masat e sigurisë. Deri më tani nuk është konstatuar ndonjë rast që një avokat të ketë kundërshtuar bojkotin dhe ka marrë pjesë në seanca gjyqësore.” shprehet për Bulqizaime.al, Shaqir Manjani, Sekretar i Dhomës Vendore të Avokatisë Dibër.
Për Manjanin, në kushtet ku ndodhet sistemi gjyqësor, harta e gjyqësore nuk duhet ndryshuar, pasi problemi i sistemit sot nuk është harta gjyqësore por deshtimi i reformës në drejtësi. ”Dështim i cili konsiston në mosparashikimin e kolapsit që do të shkaktohej për shkak të mungesës së gjyqtarëve, mosgjetjen e një zgjidhjeje për përshpejtimin e dosjeve të mbetura stok në pritje të gjykimit dhe shumë arsye të tjera si këto.” shprehet Manjani.
Avokatët në disa rrethe kundërshtuan ashpër reformën, që sipas tyre krijon probleme të aksesit të qytetarëve te drejtësia. Kundërshtimi kryesor ka të bëjë me krijimin e një Gjykate të Përgjithshme të Apelit në Tiranë dhe shkrirjen e gjykatave të apelit në rrethe. Kjo sipas avokatëve, krijon pamundësi për qytetarët nga rrethe të largëta të jenë të pranishëm apo ndjekin proceset. Në të gjithë qarkun e Dibrës do të ketë vetëm një gjykatë në Dibër, ndërsa e ajo e Matit do të shkrihet. Bulqizaime.al mësoi se në Gjykatën e Rrethir Gjyqësor Dibër dhe Mat, seacat për dhënien e masës së sigurisë kanë vazhduar edhe pa praninë e avokatëve, ndërsa seancat e tjera të planifikuara janë shtyrë. E drejta e mbrojtjes është një nga elementet kryesore të se drejtës për një proces të rregullt ligjor të parashikuar nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, e cila ka qenë pjesë e diskutimeve për hartën e re, vazhdon ta mbroj atë dhe u kërkoi avokatëve të bëheshin pjesë e zbatimit të saj. “Ajo që ne presim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe çdo avokat është që të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore, pasi ajo të miratohet në qeveri dhe të hyjë në fuqi,” tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në një qëndrim për mediat.
Manja këmbënguli se avokatët ishin pyetur në procesin e konsultimit dhe tha se një pjesë e qëndrimeve të tyre ishin marrë parasysh, por se harta ishte punë e KLGJ-së.
Vetë kryeministri Edi Rama tha se harta gjyqësore nuk ka për të ndryshuar duke thënë se bojkoti është i pavlerë. Mirëpo në përgjigje të kësaj deklarate, kreu i Dhomës së Avokatisë Kombëtare, Maks Haxhia tha se nuk kërkojnë nga qeveria, por KLGJ, duke thënë se ka mundësi për zgjidhje.
Pak ditë më parë ishte Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Prokurori i Përgjithshëm dhanë pëlqimin e tyre për hartën e re gjyqësore ndërsa e argumentuan atë si më të përshtatshmen në situatën aktuale ku ndodhen gjykatat dhe prokuroritë. Pro hartës kanë dalë edhe gjyqtarët të cilët nëpërmjet shoqatës së tyre dhanë pëlqimin për miratimin e saj.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë e sulmoi procesin e konsultimit si formal dhe të paragjykuar. Ndërsa tha se prej tij nuk ishte marrë në konsideratë asnjë mendim i grupeve të interesit “përfshi Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesor në procesin e dhënies së drejtësisë”.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka njoftuar se më 14 korrik do të organizojë një protestë përpara godinës së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Protesta është paralajmëruar për në orën 11.00 dhe të gjithë avokatët janë ftuar që të jenë të pranishëm.
“Bojkoti mendoj se do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura nga DHKA, pasi kemi të bëjmë me një target-grup profesionistësh të së drejtës dhe që njëkohësisht është edhe subjekt procedurial pa të cilin nuk mund të funksionojë sistemi i drejtësisë. Nëse edhe avokatëve ju mohohen të drejtat, çfarë mbrojtje mund t’iu garantojmë ne qytetarëve.” shprehet për Bulqizaime.al, Shaqir Manjani, Sekretar i Dhomës Vendore të Avokatisë Dibër.
Harta e re gjyqësore veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit në vend duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë. Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla; një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnje për Jugun. Debati për hartën filloi që pas disa takime konsultative, në të cilat ajo u kundërshtua ashpër nga avokatët, për shkak se sipas tyre pengon aksesin e qytetarëve të drejtësia. Harta e re iu dërgua ministrisë së Drejtësisë me 10 qershor nga KLGJ.