Pas denoncimit të ish-deputetit të PD, Xhemal Gjunkshi se në Bulqizë kishte ndodhur një atentat, ka reaguar edhe Policia e Shtetit.
Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit njofton se ka shpallur në kërkim dy vëllezër, pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë në drejtim të shtetasit B.D, 41-vjeç.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË
Policia e Bulqizës ka shpallur në kërkim policor dy vëllezër pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit B.D. në qytetin e Bulqizës.
Rreth orës 12.00, në vendin e quajtur “Unaza e Re,” Bulqizë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të shtetasit B.D, 41 vjeç, i cili është dëmtuar lehtë në dorë dhe pasi ka marrë ndihmë mjekësore ka dalë nga spitali.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ekspert të D.V.P Dibër në bashkëpunim me Policinë e Bulqizës, është bërë identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve: A.T, 26 vjeç, dhe M.T, 32 vjeç, (vëllezër) si autorët e dyshuar të kësaj ngjarje.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.
Nga ana e policisë janë ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona për kapjen e tyre.
Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.