Asnjë surprizë në tenderin e kanalizimeve në Lagjen e Re të Bulqizës, fiton kompania Gjoka

897
Tubacioni i kanalizimeve në Lagjen e vjetër.

Kompania Gjoka që ka në ndërtim rrugën e Arbërit me punime jo cilësore dhe vonesa të vazhdueshme në zbatimin e projektit, ka fituar edhe tenderin prej afro 1.7 milionë euro (199, 991, 881 lekë pa tvsh) të kanalizimeve të ujërave të zeza në Lagjen e Re të Bulqizës. Në tender kanë marrë pjesë disa kompani, ku oferta më e ulët ka qenë ajo e “Alko Impex” me një vlerë 193.879.656 lekë (pa tvsh), por që është skualifikuar me arsyen se nuk ka kapacitet për punë të ngjashme dhe disa punëtorë rezultojnë të dypunësuar.

Në raportin e ndikimit në mjedis të hartuar nga Gëzim Islami, thuhet se Lagjia e Re në Bulqizë nuk ka një rrjet kanalizimesh, si për ujërat e zeza ashtu edhe për ujërat e shiut. “Ujërat e përdorura shkarkohen në cisterna/gropa septike të ndërtuara individualisht për secilën shtëpi, ose në kanalin kullues të fushës.” thuhet në raport.

Kompania Gjoka është akuzuar vazhdimisht nga opozita për lidhje të ngushta me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku – njëherësh edhe e deleguar politike në qarkun Dibër për Partinë Socialiste.

Një vit më parë, Bashkia Bulqizë harxhoi afro 323 milionë lekë të reja (pa tvsh), për kanalizimet në Lagjen e vjetër, fituar nga kompanitë EGLAND & BE-IS me 99.6% të fondit limit. Punimet devijuan nga përcaktimet fillestare në projekt dhe me një cilësi shumë të dobët.

Në relacionin teknik të projektit të kanalizimeve për Lagjen e re, thuhet se investimi do të shtrihet edhe në Fshtin Vajkal dhe Dragua. “Që nga planifikimi i qytetit nuk është ndërhyrë në sistemimin e ujërave të zeza edhe pse qyteti ka pasur zgjerim. Gjithashtu edhe në dy fshatrat nuk kemi pasur asnjëherë trajtim të ujërave të zeza. Zgjerimi i dy fshatrave me njëri-tjetrin dhe me qytetin kanë bërë që të afrohen shumë me njëri-tjetrin, gjë të cilën ne kemi menduar ti trajtojmë me një projekt zgjidhjen e ujërave të zeza.” thuhet në relacion. Kohëzgjatja e kontratës parashikohet të jetë katër muaj nga momenti i lidhjes së kontratës.