Në qytetin e Dibrës u mbajt edicioni i shtatë i Art Galerisë “Radika-Dibra 2024”, një ngjarje artistike që tërhoqi vëmendjen e publikut. Kjo ngjarje e veçantë kulturore bashkoi 15 piktorë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, duke krijuar një platformë për prezantimin e artit të tyre dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet artistëve të rinj dhe atyre me përvojë.
Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishin piktorë të rinj, të cilët shfaqën krijimtarinë e tyre përmes një larmie stilistike dhe tematike. Ky diversitet artistik tregoi potencialin e madh të artit bashkëkohor në rajon dhe dëshirën e të rinjve për të eksperimentuar dhe për të shprehur veten përmes artit.
Ceremonia e hapjes së galerisë u mbajt nën kujdesin e kryetarit të Dibrës, z. Hekuran Duka, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e mbështetjes së aktiviteteve kulturore në komunitet. Ai vuri në dukje se Dibra ka një traditë të artit dhe kulturës, dhe se ky edicion i Art Galerisë është një dëshmi e gjallë.
Një rol të veçantë në organizimin e këtij eventi luajti edhe kryetari i Shoqatës “Art Kult 57” nga Dibra, z. Arben Jajaga, i cili është edhe themeluesi i Art Galerisë. Në fjalën e tij, z. Jajaga vlerësoi pjesëmarrjen e piktorëve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet artistëve të të dy vendeve është një faktor kyç për zhvillimin e artit në rajon.
Gjatë kësaj ngjarjeje artistike mori pjesë edhe piktori i mirënjohur Helidon Haliti, i cili në Shqipëri mban titullin “Mjeshtër i Madh”. Pjesëmarrja e tij e pasuroi edhe më shumë Art Galerinë “Radika-Dibra 2024,” duke i dhënë ngjarjes një dimension të veçantë përmes prezencës dhe kontributit të një artisti me përvojë dhe famë të gjerë në skenën e artit bashkëkohor, shqiptar dhe ndërkombëtar.
Gjatë tre ditëve të mbajtjes së galerisë, qytetarët e Dibrës patën mundësinë të vizitojnë dhe të shijojnë ekspozitën e organizuar në Qendrën për Kulturë në Dibër. Në këtë ekspozitë, çdo piktor prezantoi nga dy punime, duke sjellë para publikut një mozaik të pasur ngjyrash, formash dhe idesh që reflektojnë realitetin dhe ndjenjat e tyre.
Kjo ngjarje artistike shërbeu si një urë lidhëse ndërmjet artistëve të rajonit dhe publikun e gjerë, duke kontribuar në ngritjen e vetëdijes kulturore dhe duke promovuar artin si një mjet të fuqishëm komunikimi dhe reflektimi.