Aplikohet për parkun e parë fotovoltaik në Bulqizë

965
Foto ilustruese

Për herë të parë në zonën e Bulqizës është aplikuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e një impianti fotovoltaik. Bëhet fjalë për një impiant me kapacitet të instaluar 10 MW për t’u zbatuar në zonën e Shupenzës. Referuar të dhënave zyrtare, aplikimi është kryer nga shoqëria “GERTI” SH.P.K zotëruar nga Jeton Dani.

“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë: Shoqëria “GERTI” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 10 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Vlashaj, Njësia Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë” thuhet në aplikimin e bërë publik nga MIE.

Pak ditë më parë ishin dy projekte të tjera që kërkuan të njëjtin miratim dhe që kaluan në fazën e parë të komenteve nga palët e interesuara. Konkretisht me një kapacitet të instaluar 10 MË dhe i dyti 2 MË respektivisht në Elbasan dhe Dibër.

Interesi për impiantet fotovoltaike vijon të mbetet i lartë, kjo lidhet me krizën e energjisë ku çmimet pësuan një rritje të shpejtë dhe të paprecedentë teksa qeveria u detyrua të shpejtonte planet e diversifikimit.