Partia Socialiste prej disa muajsh ka prezantuar një aplikacion të quajtur “Aktiv1st”. Në daljet publike nga kjo forcë politike, por edhe në sqarimet tek ky aplikacion, thuhet se kjo platformë do ti jap mundësi çdo personi që ka ide dhe dëshirë të jetë pjesëmarrës në gara lokale ose kombëtare, të çojë përpara nismat e tij dhe të jetë faktor aktiv në komunitet.
Por për këtë aplikacion, ka pasur dencime publike se po detyrohen punonjësit e administratës, që janë njëkohësisht anëtarë të Partisë Socialiste, ta instalojnë në telefonin e tyre celular dhe të jenë aktiv. Qëllimi kryesore është klikimi, shpërndarja, komentet dhe pëlqimet për aktivitetet e Kryeministrit Rama, ministrave dhe figurave të tjera nga radhët e Partisë Socialiste, ku përdoruesit do të shpërblehen me pikë në renditje.
Një rast i tillë presioni për punonjësit e administratës në Bashkinë Bulqizë është denoncuar nga Gentian Progni, specialist i sektorit IT dhe një kritik i përdorimit të këtij aplikacioni për të shantazhuar administratën publike. Progni ka denoncuar në profilin e tij në Facebook, trysnin ndaj një punonjëse në Bashkinë Bulqizë. “Në bashkinë Bulqizë ja kanë bërë mamit tim. Ja kanë marrë telefonin dhe ja kanë aktivizuar bashkia me presion, me heqje nga puna dhe ata ja përdorin, pasi mami im është në prag pensioni dhe nuk din ti përdor këto aplikacione… Por ndihem vërtet e revoltuar me çfarë të drejte ja marrin telefonin një gruaje. Askush nuk ka të drejtë të prek telefonin e askujt.” thuhet në mesazhin e publikuar nga Progni.
Bulqizaime.al është në dijeni të shumë rasteve të tjera të ngjashme me këtë denoncim.
“Aktiv1st” bën publike një renditje mujore të personave që kanë grumbulluar më shumë pikë. Mes kryesuesve të listës gjenden punonjës të administratës publike. Një vëzhgim në profilet publike të personave që kanë pozicione të rëndësishme pune në qarkun Dibër tregon se aktiviteti i pëlqimeve, komenteve dhe shpërndarjeve kryhet masivisht gjatë orarit zyrtar të punës, kohë kur përdorimi i rrjeteve sociale është i ndaluar. Punonjësit e administratës mbahen nën trysni edhe me mesazhe në grupe të komunikimit, ku nëse nuk je aktiv ne rrjetet sociale “demaskohen” me emra, për t’ju treguar se janë në vëzhgim.
Ekspertët e komunikimit e shohin aplikacionin “Akt1vist” dhe formave të tjera të trysnisë online të lidhur ngushtë me afrimin e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit. “Eshtë normale që PS të kërkojë të dominojë dhe të fitojë betejën on- line me kundështarët e vet, por këtë betejë nuk mund ta bëjë në kurriz të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dhe për më tepër nuk mund ta bëj me administratën e shtetit. Në momentin që mendon se në trajtimin e të dhënave personale, e keqja e madhe ishte sistemi i patronazhistëve, tani del që patronazhistët janë lule krahasuar me presionin që po u bëhet punonjësve me aplikacionin Akt1visti”, shprehet Lutfi Dervishi në një denoncim publik në profilin e tij në Facebook.
Aplikacioni i krijuar nga Partia Socialiste ngre shqetësime serioze për të dhënat personale.
“Nëse shkarkon aplikacionin akt1visti me dëshirë apo nën presion duhet të dish se ky aplikacion ka të drejtë të aktivizojë zërin në celularin tënd në çdo kohë. Pra je i pergjuar. Edhe nëse ti nuk flet, aplikacioni ka akses te mesazhet e tua, te fotot e tua, te videot e tua, te vendndodhja jote te adresa e miqve që ke, pra ky akt1vist të merr jetën private! Akt1visti merr akses në facebookun tënd dhe di çdo pëlqim, koment apo shpërndarje qe ti bën në facebook, instagram dhe tëitter! Je monitoruar gjithë kohën”! Ky është shqetësimi i ekspertit, Gentian Progni.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po verifikon nëse aplikacioni Aktiv1st i Partisë Socialiste është në shkelje ligjore. Krahas KQZ-së, ky aplikacion po verifikohet edhe nga Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale nëse përpunon në mënyrë të paligjshme të dhënat e qytetarëve. Por deri më sot nuk kemi një rezultat konkret nga këto institucione, për të penguar përdorimin e këtij aplikacioni.