Bashkia Bulqizë ka anuluar procedurën për rikualifikimin urban të sheshit në Lagjen e Re, me një sipërfaqe prej 2300 m². Projekti, i cili synonte përmirësimin e hapësirave publike duke përfshirë instalimin e ndriçimit, ambiente rekreative, stolave dhe lojërave për fëmijë, u anulua për shkak të mungesës së ofertave të përshtatshme gjatë procedurës tenderuese.
Projekti parashikonte një fond limit prej 4,161,024 lekësh (rreth 40,000 euro) dhe një kohëzgjatje të kontratës së punimeve prej 56 ditësh.
Në relacionin e projektit, thuhej se gjatë fazës së parë, arkitekti kishte paraqitur dy ide paraprake, të cilat u shqyrtuan dhe u vlerësuan në bashkëpunim me investitorin. Në lidhje me qarkullimin, projekti parashikonte krijimin e hapësirave të dedikuara për parkimin e automjeteve në dy orientime, lindje dhe perëndim, si dhe bllokimin e rrugës për të shmangur përdorimin e saj si kalim kryesor nga automjetet.