Ambasada Amerikane për votimet e 30 qershorit: Thirrje udhëheqësve politikë që të refuzojnë dhunën

439
Ambasada Amerikane në Tiranë. Foto: U.S. Embassy-Tirana

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar për procesin e votimit duke i bërë thirrje “të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente.”

Në reagimin e ambasadës theksohet se dhuna nuk është një mënyre legjitime e të shprehurit politik dhe se kush përfshihet në akte të tilla duhet të hetohet me të gjithë fuqinë e ligjit.

“Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit. Shtetet e Bashkuara do të kenë ekipe vëzhguesish në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit në mbarë Shqipërinë. Ne do të mbështetemi në raportin e OSBE/ODIHR-it për të vlerësuar rregullsinë e votimit”, thuhet në deklaratë.

SHBA nxit udhëheqësit politikë që të ecin përpara me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun. Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA.