Albchrome shkarkon kryetarin e sindikatës pesë ditë pas themelimit të saj

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e krijuar pak ditë më parë u shkarkua nga puna prej kompanisë Albchrome me pretendimin për “shkelje të disiplinës”.

388
Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës duke folur në themelimin e saj. Foto: Sami Curri/BIRN

Vetëm pak ditë pas themelimit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, kompania Albchrome ka shkarkuar kryetarin e zgjedhur të kësaj sindikate Elton Debreshi, ndërsa disa prej themeluesve janë thirrur nga kompania në Tiranë me arsyetimin “për të shmangur raste të thyerjes së etikës dhe disiplinës në vendin e punës”.

Debreshi akuzoi kompaninë se kishte ndërmarrë masat pas krijimit të sindikatës. “Na kanë kërcënuar haptazi. Ju po themeloni sindikatë të re dhe për këtë do ta keni punën shumë keq. Sot, vetëm pesë ditë pas shpalljes së sindikatës në qendër të Bulqizës më kanë shkarkuar nga puna”, tha Debreshi për BIRN.

E pyetur për këtë kompania mohoi që shkarkimi apo thirrjet në Tiranë për të shmangur shkeljen e etikës kishin të bënin me themelimin e sindikatës. Kompania tha përmes zëdhënësit Sokol Kondi se kjo ishte një çështje rutinë.  “Si ata thërriten dhe punonjës të tjerë herë pas here që mund mos të jenë fare pjesë sindikate”, tha Kondi.

Kompania pretendon se shkarkimi po ashtu vinte pas një paralajmërimi për largim nga puna që i ishte bërë Debreshit në prill të këtij viti. Ai sipas kompanisë ishte paralajmëruar “për sjellje jo korrekte në punë” dhe se kishte “kryer veprime që paraprijnë krijimin e pasojave të rrezikshme në lidhje me sigurinë në punë dhe që pengojnë ecurinë normale të veprimtarisë së minierës.”

Por Debreshi i tha BIRN se gjithë problemet e tij me kompaninë fillojnë me nisjen e përpjekjeve për krijimin e sindikatës. “Paralajmërimi i 25 prillit dhënë nga kompania, kishte të bënte me faktin që ne po mblidhnim firmat për themelimin e sindikatës për të dërguar në gjykatë dokumentacionin. Këta me këtë arsye na thirrën në Tiranë, mua dhe 3 shokë të mi”, tha Debreshi.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u njoh nga gjykata më 15 tetor të këtij viti. Themeluesit e saj thonë se kërkojnë kushte më të mira pune, paga më të mira dhe njohje të vështirësive. Qëllimi i sindikatës është të rrisë nivelin e përfaqësimit të punëtorëve në industrinë minerare. Ata kanë akuzuar sindikatat që kanë përfaqësuar minatorët e Bulqizës deri më sot, se janë bërë palë me firmën dhe interesat e tyre, duke lënë në harresë problemet me të cilat përballen prej vitesh minatorët e Bulqizës.

Kromi është minerali më i rëndësishëm i Shqipërisë nga pikëpamja ekonomike. Aktualisht ka rreth 110 kompani të licencuara për të shfrytëzuar rezervat e kromit në zonën e Bulqizës, eksportet e së cilit arrijnë në rreth 100 milionë euro në vit.

Ndërkohë punonjësit në këtë industri mbeten ndër më të rrezikuarit. Dhejtra prej tyre humbin jetën çdo vit ose plagosen në punë. Por pavarësisht bilancit tragjik të viktimave, asnjë drejtues kompanie nuk është ndjekur penalisht gjatë viteve të fundit.

Pas lajmit për shkarkimin e Debreshit, Këshilli Sindikal pritet të mblidhet të premten dhe të njoftojë marrjen e masave dhe të ftojë minatorët në protestë.

Debreshi i tha BIRN se shkarkimi i tij ishte presion i hapur, ndërsa tha se kompania me këtë rast ishte “në shkelje flagrante të kodit të punës”. Ai tha se kompania nuk i kishte njohur raportin mjekësorë për fëmijën e shtruar në spital. “Këta problemin nuk e kanë me Eltonin, këta problemin e kanë me sindikatën dhe atë se çfarë po bëjnë mbi punëtorët”, tha ai.

Kushtetuta e Shqipërisë u njeh punëtorëve të drejtën të bashkohen në sindikata për të mbrojtur interesin e tyre. Po ashtu Kodi i Punës ka marrë parasysh mundësinë e presioneve dhe ia ndalon kompanisë që të ndërmarrë masa represive ndaj sindikalistëve, përfshi shkarkimin, masat disiplinore, uljen në detyrë e të ngjashme.

Kodi i punës parashikon ndër të tjera dënime me gjoba që shkojnë deri në “50-fishin e pagës minimale mujore.”