Aksidentet me vdekje në miniera, faji i mbetet gjithmonë viktimave

462
Stoqet e kromit dhe qyteti i Bulqizws. Foto: Vladimir Karaj/ Arkiv BIRN

Asnjë drejtues apo pronar i kompanive të shfrytëzimit të galerive të kromit në Bulqizë nuk është ndjekur penalisht tre vitet e fundit, ndërsa nga 10 aksidente me 12 të vdekur vetëm dy raste kanë shkuar në gjykatë, kryesisht kundër minatorëve të tjerë që janë dënuar për pakujdesi.

Dy minatorë humbën jetën vetë tre javët e fundit në Zonën D të minierës së Bulqizës. Eduard Dama 20-vjeç dhe Eris Keta 30 vjeç, mbetën poshtë masiveve të gurëve që u morën jetën.

Rrethanat e ngjarjes dhe shkaqet e dy aksidenteve, një i 25 tetorit dhe tjetri i vetëm pak ditëve më parë, nuk janë zbardhur ende. Policia e Dibrës i tha BIRN se kishte shoqëruar drejtuesit e punimeve në seksionin ku ndodhën aksidentet, por nuk është e qartë nëse do të kishte apo jo të akuzuar pas dy aksidenteve me vdekje.

Ndërkohë megjithëse në tre vitet e fundit, 12 minatorë, veç dy rasteve të fundit, janë vrarë në nëntokë në 10 aksidente të ndryshme, Gjykata e Dibrës i tha BIRN se vetëm dy raste me tre të pandehur ishin gjykuar dhe dënuar. Prokuroria e rrethit konfirmoi të dhënat e gjykatës.

Një investigim i BIRN në vitin 2015 gjeti se në shumicën dërrmuese të rastit faji për aksidentet në miniera i mbetej viktimave. Familjarët e tyre dhe sindikatat e minatorëve atëherë ankoheshin se autoritetet fajësonin viktimat për aksidentet vdekjeprurëse, duke shmangur përgjegjësitë penale të kompanive, megjithëse shpesh këto të fundit ishin gjetur në parregullsi.

Sipas kancelarit të Gjykatës në Dibër edhe në tre vitet e fundit vetëm dy çështje me tre të pandehur, staf teknik i minierave dhe minatorë, ishin akuzuar për “shkelje të rregullave të sigurisë në punë”. Në dy rastet gjykata i ka shpallur fajtorë minatorët të cilët janë dënuar për pakujdesitë. Dy prej tyre morën dënime përfundimtare me nga 1 muaj dhe 10 ditë burg me gjykim të shkurtuar, ndërsa në një rast dënimi ishte 8 muaj burg.

Nga ana tjetër prokuroria kishte kërkuar masë sigurimi arrest me burg për rreth 9 raste, por duket se pjesa më e madhe e këtyre çështjeve janë pushuar. Prokurori i Rrethit Dibër i pyetur për fatin e çështjeve me minatorë që humbin jetën, konfirmoi të dhënat e marra nga gjykata.

Ndërkohë as në këto tre vite, megjithëse aksidentet në minierë kanë vijuar kryesisht në atë që njihet si Zona D, ku ndodhën edhe dy aksidentet e fundit, asnjë administrator apo pronar kompanie nuk është ndjekur penalisht për to.
Burime nga Komisariati i Policisë së Bulqizës i thanë BIRN se ata nuk kishin kapacitete për të hetuar përgjegjësitë e kompanive.

Burime nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës i thanë BIRN se një pjesë licensave të kompanive që shfrytëzonin minierën ishin revokuar edhe për arsye të sigurisë, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk qe e mundur të sigurohej informacion për raste konkrete kur kjo kishte ndodhur.

Miniera e Kromit në Bulqizë është më e madhja në vendin tonë me një histori gati 70-vjeçare. Ndërkohë pas viteve 90 privatizimi i galerive te kromit shoqëruar me mungesa të kuadrit teknik dhe pafuqi investuese për rehabilitimin e galerive, solli dukshëm jo vetëm mosplotësimin e kushteve më minimale për punë, por edhe shtimin e aksidenteve me plagosje e humbje te jetëve të minatorëve në këto galeri. Investigimi i BIRN në 2015 gjeti se rreth 300 minatorë kishin humbur jetën në një dekadë. Pjesa më e madhe dhe numri më i madh i të vdekurve janë në galeritë e Bulqizës.
Numri i aksidenteve besohet se u rrit edhe për shkak të numrit të madh të licensave të dhëna në vite. BIRN mësoi se deri në vitin 2013 ishin dhënë 118 licensa zhfrytëzimi.

Një investigim i BIRN i vitit 2016 gjeti se dhënia e këtyre liçencave shpesh edhe me mbivendosje ishte bërë shkak për një sërë krimesh, por njëkohësisht duke cënuar sigurinë në galeri. Investigimi zbuloi se një pjesë e kompanive kishin po ashtu lidhje politike lokale dhe kombëtare, gjë që duket se u ka dhënë imunitet shfrytëzuesve të kromit.

Sipas sindikalistit Dilaver Përkoxha, i cili u intervistua atëherë nga BIRN, u mësua se aksidentet me plagosje fshiheshin nga pronarët. “Minatorët, por edhe banorët e Bulqizës janë përballur me një tmerr të vërtetë, varfëri ekstreme dhe gjak,” tha sindikalisti. Po ashtu Përkoxha konfirmoi atëherë se asnjë pronar apo drejtues miniere nuk ishte dënuar për aksidentet në punë.

BURIMI: BIRN Albania
AUTOR: Hysen Likdisha