Një minator 40 vjeç u transportua me urgjencë në kryeqytet pasi mori plagë të rënda gjatë një aksidenti në punë në një galeri minerare në zonën e Bulqizës.
Policia e Bulqizës njoftoi se aksidenti ndodhi në orën 11.30 në një galeri kromi në Bulqizë. Policia nuk ka dhënë detaje për rrethanat e ngjarjes dhe as për kompaninë që punësonte minatorin. Sipas saj minatori i cili u transportua me helikopter për në Tiranë, po merr ndihmë mjekësore dhe është “jashtë rrezikut për jetën”.
Mësohet se i plagosuri është Rasim Laçi, 40 vjeç me banim në njësinë administrative Shupenzë në bashkinë Bulqizë.
I plagosuri fillimisht është dërguar në spitalin e Bulqizës ku dhe ka marrë ndihmën e parë, por për shkak të plagëve mjekët e këtij spitali kanë njoftuar helikopterin dhe e kanë transportuar minatorin në kryeqytet pasi kërkohet mjekim i specializuar.
Galeritë e Bulqizës janë një prej zonave me më shumë aksidente të rënda në punë në Shqipëri sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës.