Një minator 51 vjeç u transportua me urgjencë në kryeqytet, pasi mori plagë të rënda gjatë një aksidenti në punë në galeritë e kromit të Albchrome në zonën e Bulqizës.
Policia e Bulqizës njoftoi se aksidenti ndodhi në orën 12:00, por pa dhënë shumë detaje për rrethanat e ngjarjes. Burime nga Spitali i Bulqizës bëjnë me dije se minatori kishte dëmtime në gishtat e këmbës së djathtë, dhe u dërgua për ndihmë më të specializuar mjekësore në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Galeritë e Bulqizës janë një prej zonave me më shumë aksidente të rënda në punë në Shqipëri, sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës.