Dom Gjergj Meta tregon arsyet pse është kundër ndalimit të shfaqjes së filmave të Ish-Kinostudios, edhe pse në disa prej tyre, mbi klerin hidhet baltë.
Duke qenë i qartë se arti dhe feja jo gjithherë kanë ecur përkrah, Zëvendësi i Përgjithshëm i Arkidioqezës Tiranë – Durrës thotë në një intervistë për “GSH” se ndonëse shfaqja e tyre mund të jetë banalitet kulturor, ndalimi e censura nuk janë zgjidhje.
Ai del në krah të artistëve të kohës, jo vetëm si përfaqësues i kishës që fal, por edhe se ata kanë punuar nën presion. Duke kuptuar se ata filma mund të jenë të rëndë për ish të persekutuarit, Dom Gjergji, thotë se “tragjedia është te ata persona që mbrojnë me fanatizëm ligësinë që gjendej brenda atyre filmave, ideologjinë poshtëruese dhe manipuluese të masave”.
Në intervistën e tij për “GSh” ai i përgjigjet pyetjeve mbi raportin tonë me të shkuarën, “ringjalljen” e komunizmit dhe thirrjen për të mos shfaqur eksponentë të regjimit në media.
Pjesë nga intervista
– E shihni këtë si censurë?
Fjala censurë nuk ka vetëm një kuptim. Ka rrafshe semantike të shumëfishta. Censura sa është e rrezikshme për lirinë e një populli aq është e rëndësishme në ruajtjen e disa parametrave, prandaj që do të isha i kujdesshëm ta përdorja vend e pa vend, e sidomos me inat dhe urrejtje, pasi mund të kthehet në bumerang. Në komunizëm, censura u përdor në mënyrë kriminale, dëmtuese e shëmtuese. Censura ishte fytyra e shëmtuar e sistemit komunist. Ne sot duhet të jemi të kujdesshëm. Liria është e çmuar e nuk fitohet e as nuk jepet me inat apo zemërim.
– Është kërkuar ndalimi i shfaqjes së tyre në televizione ose transmetimi i disave me sqarim paraprak- si e gjykoni këtë kërkesë?
Të luftosh sot disa fenomene me anë të censurës do të thotë të luftosh me shpatë kundër mullinjve të erës. Sot bota virtuale ofron shumë mundësi. Nuk mund të kthehemi në një vend diktatorial. Unë nuk kam problem që të transmetohen këto filma. Nuk do të isha kaq kategorik. Nuk e shoh këtu problemin. E shoh dikund tjetër. Shfaqja e këtyre filmave për mendimin tim tregon banalitetin kulturor në të cilin gjendet vendi ynë. Nuk është një çështje ideologjike, por kulturore, madje antropologjike. Aty duhet të këmbëngulet. Fatkeqësinë e madhe të shfaqjes së këtyre filmave e shoh në faktin që televizionet tona janë aq të varfër e aq banalë sa kanë mbushur ekranin me filma të realizimit socialist dhe me telenovela turke. Prapa shfaqjes së këtyre filmave unë shoh më shumë varfëri dhe mungesë kreativiteti të artit kinematografik shqiptar se sa një problem ideologjik. E kjo është një pikë e parë, por shumë e rëndësishme për të kuptuar se banaliteti i realizmit socialist është aleati më i mirë i banalitetit dhe zbrazëtisë që ka arti dhe kultura në vendin tonë. Nuk mund të thuhet se këtu nuk ka artistë dhe njerëz të artit, janë me shumicë, por këtu ka indiferencë dhe politizim ndaj këtyre të fundit. Kjo është më e rëndë se sa shfaqja e filmave të asaj kohe të mbrapshtë. Për këtë arsye lulëzojnë këto pelikula që vazhdojnë të helmojnë jetën e shumë shqiptarëve. /GSH.al