FOTO/ Sekuestrohen në Vlorë 1.2 ton kanabis sativa

318

Sekuestrohen 1 ton e 283 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa, në Gjirin e Bristanit, Karaburun!

Policia e Vlorës në bashkëpunim me Policinë Kufitare Vlorë, Delta Force dhe Guardia di Finanza, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, zhvilluan një operacion të përbashkët nga toka dhe deti ku si rezultat u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme me lëndë narkotike në vendin e quajtur “Gjiri i Bristanit” Karaburun, në tentativë për t’u trafikuar me mjete të shpejta drejt Italisë.

Në bazë të këtij operacioni të përbashkët, Policia ka konstatuar në afërsi të bregut të detit, 47 çanta të mbushura me lëndë narkotike, të fshehura në 3 vende të ndryshme në pyll, rreth 500 m larg nga Gjiri i Bristanit.

Operacioni po vazhdon ende të zhvillohet nëpërmjet kontrolleve nga toka dhe deti, përgjatë gjithë shtrirjes së Gadishullit të Karaburunit.

Po punohet për zbulimin dhe kapjen e autorëve të implikuar në ketë tentativë të trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.