DEKLARATA/ Grupi lobues për Rrugën e Arbërit: “Të injoruar por jo të dorëzuar”

396

Të indinjuar nga injorimi sistematik i Dibrës nga shteti shqiptar, dhe veçanërisht nga premtimet boshe dhe mashtrimet e qeverive që nga viti 2005, më 18 mars 2013, një grup intelektualësh dibranë në Tiranë dhe jashtë vendit iniciuan peticionin online për Rrugën e Arbërit. Për këtë vepër, dibranët po lobojnë pa reshtur që prej një çerek shekulli, me shprese se, në demokraci, edhe ata do të jenë të barabartë mes të barabartëve.

Peticioni filloi para zgjedhjeve si nismë qytetare. Siç premtuam, peticioni ka qëndruar jashtë çdo ndikimi partiak. Në një vend si Shqipëria, ku shteti nuk funksionin normalisht dhe ku ‘besnikëria prej skllavi’ ndaj pronarëve të partive në Tiranë dhe sejmenëve të tyre, që operojnë me efektshmërinë e metastazave të kancerit në çdo pjesë të vendit, është shndërruar në ‘parim’, nuk u çuditëm kur të djathtët na akuzuan që në fillim se ishim ‘vegla’ të së majtës.

Nga ana tjetër, të majtët, të etur për të kapur me çdo kusht shtetin, nga marsi deri në qershor 2013, e panë të arsyeshme të na ‘përkrahin’ me shpresë se ishim ‘të tyret’. Sapo erdhën në pushet, të majtët veshën petkun e arrogancës, dhe filluan të na sulmonin si individë dhe si grup, duke na bërë presion, shpifur dhe akuzuar se synonim t’u merrnim ‘meritat’ për ‘suksesin’ e tyre të ‘garantuar’.

Kryeministri Edi Rama ka refuzuar kategorikisht të pranojë dorëzimin formal të peticionin që tani ka 11,000 nënshkrues online dhe formularë, dhe të ‘ulë veten’ për të filluar një dialog konstruktiv me Grupin e Lobimit. Megjithatë, Kryeministri Rama nuk ka lënë rast pa folur me superlativa për rolin pozitiv të shoqërisë civile, jo vetëm në disa vende në Perëndim, ku shoqëria civile vërtet vlerësohet, po edhe në Kinë.

Ndërsa sejmenët dibranë të Kryeministrit në qeveri dhe parlament, nuk ngurruan të tallen me dibranët përsëri, duke ua uruar rrugën kur nuk ishte siguruar asnjë qindarkë për ndërtimin e saj. Si Grup Lobimi, ne nuk arritëm të mbajmë premtimin për t’i dorëzuar qeverisë peticionin formalisht. Për këtë u kërkojmë ndjesë të gjithë përkrahësve.

Megjithatë, qëllimi ynë nuk ka qenë dorëzimi formal i peticionit, por këmbëngulja jonë e vazhdueshme që qeveria shqiptare të mbajë premtimet e saj gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013 të dhëna në Dibër, se ‘ndërtimi i Rrugës së Arbërit është një prioritet’. Ndaj ne nuk kemi heshtur për mosmbajtjen e këtij premtimi dhe nuk do të heshtim edhe në të ardhmen. Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve këtë qershor, ne nuk do të reshtim së lobuari për Rrugën e Arbërit dhe dinjitetin e nëpërkëmbur të Dibrës.

Në këtë drejtim, peticioni ynë është simbol proteste në emër të Shqipërisë së ‘harruar’. Në këtë përvjetor të katërt, duam të ndajmë me intelektualët në Shqipëri dhe diasporë mësimin e hidhur nga përvoja jonë lobuese: Mos u mashtroni nga zhurma që bën kjo klasë politike se gjoja është e interesuar për dialog me intelektualët. Udhëheqësit të radhës nuk i duhen intelektualë atdhetarë e të pakorruptueshëm, por marioneta të arsimuara për t’u hedhur hi syve votuesve në prag zgjedhjesh.

Ashtu siç kemi premtuar më 18 mars 2013, peticioni ynë do të mbyllet kur të përfundojë metri i fundit i Rrugës së Arbërit, ndaj ju lutemi vazhdoni të nënshkruani: http://chn.ge/1NZeyGu

Gëzim Alpion

Në emër të Grupit të Lobimit

Birmingham, Angli, 18 Mars 2017