Kostoja për koncesionin e rrugës së Arbrit do të rritet në 3.5 miliardë lekë për vitin 2024

1063
Hyrja në tunelin e qafë Murrizit, Tiranë - pjesë e rrugës së Arbërit. Foto: Sami Curri

Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, janë parashikuar 14,3 miliardë lekë vetëm për 11 kontrata koncesionare, nga rreth 13 miliardë lekë që ishin pagesat e bëra në vitin 2023. Pjesën më të madhe të pagesave do të shkojë për koncesionin e rrugës së Arbrit me mbi 3.5 miliardë lekë.

Rruga e Arbrit në total pritet t’i kushtojë qytetarëve 40.3 miliardë lekë, me pagesa që do të vijojnë deri në vitin 2031. Qytetarët kanë paguar sakaq 15 miliardë lekë, ndërsa kompania sipërmarrëse ka dështuar deri më sot të dorëzojë objektin sipas kontratës. Investimi më i rëndësisishëm në tunelin e Murrizit, vijon të mos jetë funksional edhe një vit e gjysmë pas skadimit të afatit fillestar. Aktualisht qeveria nuk jep të dhëna se kur mundet që rruga të përfundojë së ndërtuari, pavarësisht se kompania sipërmarrëse ka marrë shtesë kontrate.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po përgatit një amendim të dytë të kontratës koncesionare për ndërtimin e rrugës së Arbrit, duke parashikuar si afat të ri të përfundimit të saj pranverën e vitit 2025.

Rruga e Arbrit që lidh Tiranën me Dibrën, por edhe një korridor i rëndësishëm lidhës i Portit të Durrësit me vendet e tjera të rajonit, ishte planifikuar që të përfundonte në prill 2022, por ministria e zgjati fillimisht me 17 muaj afatin për kompaninë koncesionare “Gjoka 87” për përfundimin e punimeve. Dhe jo vetëm kaq, por e njëjta kompani ka fituar edhe tenderin për rivitalizimin e skarpatave në Plan të Bardhë, në Klos dhe gjithashtu edhe në shkallën e Tujanit në Tiranë, gjë që efektivisht është shtesë mbi shtesën e kontratës për ndërtimin e këtyre pesëdhjetë kilometrave rrugë.