Distanca nga Bulqiza në Tiranë u shkurtua, por jo edhe çmimi i biletave të transportit publik

3097
Qyteti i Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Me daulle, valle dhe me pjesëmarrjen e administratës publike, vetëm pak ditë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, Kryeministri Rama inaguroi për të disatën here përfundimin e një segmenti të rrugës së Arbërit. Konkretisht, segmentin nga qafa e Buallit në Bulqizë deri tek ura e Vashës në Klos.

Hapja për kalimin e automjeteve të këtij segmenti do të shkurtonte kohën e udhëtimit ndërmjet Tiranës dhe Bulqizës në afro 55 km. Distanca me Tiranën u shkurtua ndjeshëm, por çmimi i biletave të transportit publik mbeti 500 lekë për person, njëjtë siç kur në përdorim do të ishte rruga e vjetër.

Kjo do të sillte reagime të shumta të qytetarëve në rrjetet sociale, ku kërkohej të ndërhyhej për të ulur çmimin e biletës së transportit publik, pasi për një orë udhëtim, pagesa prej 500 lekë ishte abuzim. Pyetjes së Bulqizaime.al në rrjetet sociale, për shqetësime lidhur me çmimin e biletave, ju përgjigjën me dhjetëra komentues, duke e quajtur abuzim dhe që institucionet shtetërore të ndërhynin menjëherë.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, si organi i ngarkuar për nënshkrimin e licensave dhe certifikatave të operimit në transportin ndërqytetas, i tha Bulqizaime.al në një përgjigje me shkrim se për linjat Bulqizë-Tiranë dhe Bulqizë-Durrës operon vetëm një agjensi udhëtimesh, me emrin tregtar “Bulqiza”.

Nga DPSHTRR thuhet se çmimi i biletave në transportin ndërqytetës përcaktohet në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, në bazë të distancës në kilometra. Distanca aktuale nga terminali i udhëtarëve në Bulqizë deri në terminalin e udhëtarëve në Tiranë është afro 55 km. Referuar VKM-së numër 66, datë 07.02.2007, çmimi i biletës nuk do të duhej të ishte më shumë se 175 lekë.

I pyetur në telefon nga Bulqizaime.al, Maksim Xhura, administrator dhe pronari i vetëm i shoqërisë së transportit të udhëtarëve “Bulqiza”, me linjat në Tiranë dhe Bulqizë tha se pas hapjes së segmentit në planin e Bardhë të rrugës së Arbërit, do të ulte me 100 lekë biletën e udhëtarëve. Ky i fundit, tha se çmimi i biletave është i miratuar nga Ministria e Transportit, por që nuk kishte dijeni për VKM-në me çmimet përkatëse të biletës së udhëtarëve në bazë të kilometrave.

“Unë kam bërë gati njoftimet për ti vendosur në lokale dhe në terminal ku kemi bërë një ulje prej 100 lekë. Vendim im sepse ka rënë puna komplet. Një herë nuk ka njerëz edhe bileta 500 lekë. Ne po na lodh shumë bajpasi pasi po na shkatërron motorrat e automjeteve. Unë çmimin e biletës po e bëj vetë ngaqë nuk kemi edhe punë që ti nxisim edhe njerëzit që të lëvizin pak më shumë. Nuk kam dijeni për VKM që thoni ju për çmimet. Nuk e kam idenë. Nuk kam bërë asnjë lloj llogarie, pasi me hapjen e rrugës së re ne kemi dalë me humbje. Më mirë nga shkopeti se sa kësaj rruge. Në VKM varet se çfarë kategorie rruge fusin. Ke Tiranë-Durrës me afro 40 km dhe është bileta 150 lekë. Vendimin për të ulur me 100 lekë çmimin e biletës e kam marrë vetë dhe jo se më është kërkuar. Për këtë kam bërë edhe letrat gati. Ne po vuajmë se nuk kemi pasagjer dhe me shpresën që ulja ta nxis më shumë përdorimin e transportit publik. Ne kemi 9 mjete në përdorim.” tha Xhura.

DPSHTRR në përgjigjen me shkrim për Bulqizaime.al tha se nuk ka kompetenca kontrolli në rrugë për çmimin e biletave të udhëtimit. “Strukturat përkatëse tatimore ushtrojnë kontroll ndaj shoqërive rezidente shqiptare, të licencuara, për llojet e ndryshme të transporteve, për pajisjen me bileta të udhëtarëve ose faturë tatimore, vetëm apo në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për transportin dhe strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në përputhje me kompetencat dhe detyrat e tyre funksionale. Task Forca e Transportit Rrugor, organ në varësi të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, është organ i specializuar për kontrollin në rrugë të shoqërive që kryejnë transport pasagjerësh”, thuhet në përgjigjen me shkrim të DPSHTRR.

Në fund, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, përpos se të ndërhynte për situatën, kërkonte që “të gjitha shoqëritë e licencuara për operim në transportin ndëryqytetës kanë detyrimin për respektimin e saktë të çmimit të biletës”.

Transporti ndërqytetas, qytetas dhe ai urban është një monopol publik që ofrohet nga kompani private me çmime të mbikëqyrura dhe standarde shërbimi të përcaktuara dhe të monitoruara. Çmimi duhet të mbulojë kostot dhe një normë fitimi “normale” mbi të ardhurat e kompanive. Problemi është se aktualisht nuk ka asnjë tëdhënë publike mbi të ardhurat e realizuara nga kompanitë që ofrojnë këtë shërbim, mbi numrin e udhëtarëve të secilës kompani dhe mbi kostot e shërbimit të transportit. Çmimi i transportit publik ndërqytas, në bazë edhe të kilometrave Bulqizë-Tiranë, mund të jetë aktualisht nga më të shtrenjtit në Shqipëri.