“Nuk e përballon dot burgun”, Alla kërkon lirimin

1063

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi këtë të hënë seancën e radhës për shqyrtimin e kërkesës së ish-kryetarit të bashkisë Bulqizë, Lefter Alla për lirimin nga burgu, me arsyetimin se ka probleme shëndetësore.

Avokati i Allës paraqiti këtë të hënë, prova nga rezultatet e raportit mjekësor, sa i takon gjendjes shëndetësore të Allës. Sipas avokatit Hysni Demiraj, gjatë një kontrolli të bërë për gjendjen shëndetësore, ka rezultuar se ish-kryebashkiaku nuk është në gjendje të mirë për të përballuar burgun. Në fund, u vendos që seanca e radhës në GJKKO të zhvillohet më 29 korrik në orën 13:30.

Sipas raporteve mjekësore të depozituara në gjykatë, Alla pretendon se ka probleme shëndetësore me zemrën dhe se qëndrimi në qelinë e burgut nuk është e përshtatshme.

Alla akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Ky i fundit e konsideroi si gjyq politik dhe se më mirë do të ishte që ti kërkohej të “hapte krahun” se të niste një proces i tillë. Ai mohoi akuzat dhe deklaroi se nuk kishte kryer shkelje ligjore.

Arrestimi i Allës dhe 12 personave të tjerë – shumica pjesë e administratës së bashkisë Bulqizë – u bë pas një hetimi të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për tenderin me vlerë 322 milionë lekë ose afro 2.8 milionë euro, që synonte të rinovonte rrjetin e kanalizimeve në lagjen e vjetër në Bulqizë.

SPAK bëri të ditur se punonjësit e bashkisë kishin favorizuar në tender dy kompani, Egland shpk dhe BE-IS shpk, ndërkohë që punimet në terren dyshohet se janë kryer realisht nga një kompani e tretë, “2AF Albania” shpk, për të cilën prokurorët thonë se ka lidhje me kryetarin e arrestuar të bashkisë. “Kryetari i Bashkisë me funksionin e tij si i zgjedhur vendor për të administruar konform ligjit njësinë vendore, bashkinë Bulqizë evidentohet qartësisht sjellja e tij duke dokumentuar disa fakte penale si shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publike.” thuhej në akuzën e SPAK.