Monitorimi i aktivitetit minerar – KLSH: Duhen inspektime

733
Miniera e Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Mbikëqyrja dhe monitorimi i aktivitetit minerar jo vetëm që nuk ushtrohet i plotë dhe 2 herë në vit, por për shumë subjekte nuk është kryer asnjë kontroll apo inspektim nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, duke shkelur legjislacionin në fuqi.

Konstatimi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në bazë të auditimit të kryer gjatë vitit 2022, që gjithashtu vëren edhe një sërë problemesh të tjerë në drejtim të shfrytëzimit të burimeve minerare.

Sipas KLSH, zotëruesit e lejeve minerare nuk kanë paraqitur për miratim planin vjetor të veprimtarisë, ku të specifikohej sasia e prodhimit, shitjeve, vlera e investimeve, vlerat e garancive, në përputhje dhe të harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen minerare për çdo vit, transmeton televizioni SCAN.

Gjithashtu, nuk janë hartuar dhe dërguar në strukturën shtetërore përgjegjëse, informacionet tremujore dhe vjetore me treguesit mbi realizimin e prodhimit, investimeve, vlerën e produkteve të shitura, punimeve minerare të realizuara dhe gjithë operacioneve të kryera për rehabilitimin e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve minerare.

Nga ana tjetër, evidenca vjetore për veprimtarinë e aktivitetit prodhues dhe tregtar të shoqërive që zotërojnë leje shfrytëzimi minerar, nuk është plotësuar me të gjithë treguesit kryesorë të prodhimit, të shitjes, të ardhurat e realizuara dhe renta e paguar. Shkelja e këtyre detyrimeve ligjore pasohet me dëme në buxhetin e shtetit. Sipas KLSH, gjatë vitit 2022 dëmi ekonomik dhe efeketet negative për shkak të parregullsive, të shkaktuara nga institucionet publike arriti në mbi 90 mld lekë është.