“Kam probleme shëndetësore”, Lefter Alla kërkon lirimin nga burgu

1346

Ish-kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla kërkon lirimin nga burgu, me arsyetimin se ka probleme shëndetësore në zemër. Dy ekspertë mjeko-ligjor, paraqitën këtë të hënë pranë Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezultatet e raportit mjekësor.

Sipas ekspertëve, Alla ka probleme shëndetësore me zemrën dhe se qëndrimi në qelinë e burgut nuk është i përshtatshëm për gjendjen e tij.

Seanca do të zhvillohet ditën e hënë, 12 qershor, në orën 12:00, ku Alla do të dalë para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me vendimin e saj lidhur me kërkesën e ish-kryebashkiakut për masë më të butë sigurie se “arresti në burg”.

Alla akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Ky i fundit e konsideroi si gjyq politik dhe se më mirë do të ishte që ti kërkohej të “hapte krahun” se të niste një proces i tillë. Ai mohoi akuzat dhe deklaroi se nuk kishte kryer shkelje ligjore.

Arrestimi i Allës dhe 12 personave të tjerë – shumica pjesë e administratës së bashkisë Bulqizë – u bë pas një hetimi të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për tenderin me vlerë 322 milionë lekë ose afro 2.8 milionë euro, që synonte të rinovonte rrjetin e kanalizimeve në lagjen e vjetër në Bulqizë.

SPAK bëri të ditur se punonjësit e bashkisë kishin favorizuar në tender dy kompani, Egland shpk dhe BE-IS shpk, ndërkohë që punimet në terren dyshohet se janë kryer realisht nga një kompani e tretë, “2AF Albania” shpk, për të cilën prokurorët thonë se ka lidhje me kryetarin e arrestuar të bashkisë. “Kryetari i Bashkisë me funksionin e tij si i zgjedhur vendor për të administruar konform ligjit njësinë vendore, bashkinë Bulqizë evidentohet qartësisht sjellja e tij duke dokumentuar disa fakte penale si shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publike.” thuhej në akuzën e SPAK.