Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten më 27 prill 2023 vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Dibrës, Urim Buci. Po ashtu, u vendos të transferohen për inspektim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë tre çështje penale të hetuara prej subjektit.
Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Xhensila Pine.
Gjatë seancës dëgjimore më 25 prill, Buci dha shpjegime lidhur me burimet financiare që kanë shërbyer për ndërtimin e një banese në Kamëz si dhe për pikëpyetjet mbi një kontratë qiraje me Bashkinë e Kamzës.
Buci mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa në kriterin profesional u pyet mbi hetimin e tre çështjeve ku palë ka qenë një shok i gjimnazit me të cilin kishte kryer një udhëtim.
Urim Buci e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2005 si oficer i policisë gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2015 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.