Tërmeti dëmton dhjetra shtëpi në Klos

1200
Banesë e dëmtuar nga tërmeti. Foto: Dritan Kurti

Ditën e dielë një tërmet me magnitudë 4.7 shkalla Rihter dhe epiqendër në Xibër të bashkisë Klos, lëkundi Shqipërinë. Lëkundjet sizmike u ndjenë në disa qytete të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut, por dëmin më të madh tërmeti e shkaktoi në Klos, kryesisht në plasaritje muresh të shtëpive, dëmtim të orendive shtëpiake dhe të disa çative. Në zonën e Klosit janë me dhjetra banesa që janë dëmtuar më parë nga dy tërmete të fuqishme, ku një pjesë vazhdojnë të jetojnë akoma në çadra.

Fillimisht Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shpërndau një njoftim për mediat, se tërmeti ishte me epiqendër 3 km në jug të Klosit. “Sipas të dhënave të deritanishme raportohen disa dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos.” thuhet në deklaratë. Anëtarët e Komisionit Vendor të Emergjencave Civile në Klos, zhvilluan mbledhje këtë të hënë. Në faqen zyrtare të bashkisë, thuhet se po verifikohen në terren dëmet materiale të shkaktuara nga lëkundjet e forta. “Emergjenca Civile në bashkëpunim me të gjithë organet e pushtetit vendor organizoi punën dhe planin e masave për të trajtuar me mbështetje financiare të gjithë familjet e prekura.” thuhet në qëndrimin e bashkisë Klos.

Bulqizaime.al mëson se deri në publikimin e këtij raportimi, janë afro 20 banesa të dëmtuara në zonën e Klosit. Tërmeti i që lëkundi Shqipërinë mbrëmë ka sjell panik tek banorët, ku një pjesë e kanë kaluar edhe natën jashtë në makina. Sizmologu Rrapo Ormeni, shprehet për Bulqizaime.al se nuk ka vend për panik tek banorët e Klosit dhe Bulqizës, pasi këto lëkundje janë të zakonshme në këto zona. “Nuk ka vend për panik pasi nuk ka ngjashmëri me tërmetin e ndodhur tre vite më parë. Siç i themi ne futet tek tërmetet e vegjël me magnitudë 4.7 Rihter ose me intensitet në epiqendër gjashtë ose shtatë ballë. Janë tërmete karakteristike që bien në zonën e Klosit. Në këtë zonë, historikisht kanë rënë tërmete deri në magnitudën 5 ose 5.1 i shkallës Rihter. Gjithmonë pas këtij tërmeti të kësaj magnitude, bien tërmete të tjera më magnitudë më të vogël se sa kjo. Pra është goditja kryesore, pastaj vjen duke u shuar.” tha Ormeni. Tërmete me intensitet me magnitudë më të vogël kanë vazhduar të godasin njësinë administrative Xibër, afro 15 lëkundje janë regjistruar nga Instuti i Gjeoshkencave deri në këto momente.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu thotë se dëmtimet e banesave nga tërmeti nuk rrezikojnë jetën e banorëve.

“Për fat të mirë nuk kemi dëmtime në njerëz, ka dëmtime të lehta në banesa kryesisht të amortizuara. Me urdhër të kryetarit të bashkisë janë ngritur grupet e vlerësimit të cilët po marrin ankesat e qytetarëve dhe sipas njësive administrative do të bëjmë verifikim në terren në të gjithë territorin e Bashkisë Klos. E njëjta gjë edhe në Mat, Bulqizë e Dibër. Ka ndërtesa të dëmtuara në Klos, por edhe Mati dhe Bulqiza janë prekur. Në Bashkinë Klos ka ankesa të qytetarëve, të verifikuara janë rreth 22 ndërtesa dhe në orët në vazhdim do të shohim si do të shkojë situata. Nuk janë dëmtime që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Në 2-3 ndërtesa që mendohen dëmtime të rënda kanë shkuar edhe grupet e punës”, tha prefekti për mediat.

Sipas Qendrës Europiane të Sizmologjisë, fillimisht, tërmeti është raportuar se ishte 5.24 Rihter, ndërsa më pas është saktësuar në 4.7 Rihter. Lëkundja e dytë ka qenë me magnitudë 4.1 Rihter.