Muka: Akoma nuk e kemi “Rrugën e Arbërit”, as si trase as si punime cilësore

2127

Prof. Assoc. Dr. Gafur Muka, thotë se nuk e kemi akoma “Rrugën e Arbërit” as si trase dhe as si punime cilësore. Në intervistën për Bulqizaime.al, Muka shprehet se është punuar pa përgjegjësi dhe me ritme krejt të ngadalta. Për Mukën, shpenzimet që janë kryer deri më sot për ndërtimin e rrugës së Arbërit, janë për “rrugë të florinjta”.

Kemi afro dy dekada që flasim dhe dëgjojmë për ndërtimin e rrugës së Arbërit, ndër akset më të rëndësishme kombëtare. Fakti që ende ndërtimi i rrugës po zvarritet me ritëm shumë të avashtë të punimeve, por edhe që në ato segmente që mund të konsiderohen të përfunduara, punimet nuk duken aspak cilësore, ju si e vlersoni diçka të tillë?

Natyrisht që është folur shumë dhe kemi dëgjuar shumë për “Rrugën e Arbërit”. Më së fundmi, vitin e kaluar, u bë i mundur edhe kalimi nëpër atë që emërtohet si “Rruga e Arbërit”. Por a është kjo “Rruga e Arbërit”?. Unë mendoj se akoma nuk e kemi “Rrugën e Arbërit”. Nuk e kemi atë as si trase as si cilësi. Me çfarë shihet në terren, konstatohet që është punuar pa përgjegjësi (çfarë e lejon mungesa e ballafaqimit me projektin) dhe me ritme krejt të ngadalta (çfarë e vërteton kohëzgjatja afro 20 vjeçare). Për t’u informuar konkretisht është e domosdoshme të konsultohet projekti dhe të japë shpjegime supervizori. Meqë mungojnë këto dy elementë, atëhere ajo çfarë do përfundojë nuk do të jetë “Ruga e Arbërit”.

Sipas jush sa i organizuar ka qenë faktori dibran për të lobuar mjaftueshëm për ndërtimin e rrugës së Arbërit. Këtu nënkuptoj që tek shoqëria civile, media por më e rëndësishmja në politikë si në kampin politik majtas dhe djathtas?

Nuk mendoj se ka munguar lobimi. Ai ka qenë i nevojshëm deri sa ndërtimi i kësaj rruge të përfshihej në objektivat programore të qeverisjes. Pas kësaj, kërkohej hartimi i një projekti sa më efiçent dhe, në vazhdim, zbatimi i këtij projekti. Këto janë detyra të qeverisjes. Sa janë realizuar këto detyra? Përgjigja është dëshpëruese. Kush e ka përgjegjësinë për këtë? Firma zbatuese ka përgjegjësinë e saj, por përgjegjësinë kryesore e ka supervizimi i punimeve të firmës. Në kushtet e një kontrrolli korrekt, firma do të detyrohej ta zbatonte projektin në lartësinë e standardeve të projektimit. Duket që ky kontrroll ka munguar. Përkundër kësaj mungese duhej të reagonte fort, kryesisht opozita dhe shoqëria civile. Mbase ka patur zëra kritikë por, përderisa “veshi” që duhej të dëgjonte ka mbetur i shurdhër, është bërë “shumë zhurmë për asgjë”. Nuk është kritikë të dëgjosh nga goja e politikanëve thjesht “ka korrupsion me dhjetëra apo qindra milionë euro”. Kritika për objekte të tilla duhet të jetë thellësisht profesionale, duke treguar shkallën e plotësimit të standardeve, shpenzimet e justifikuara dhe paratë e harxhuara për punë të pabëra.

Nëse sot do të kishim rrugën e përfunduar, sipas jush sa do të kishte ndikur në jetën dhe zhvillimin ekonomik të qarkut të Dibrës, pavarësisht se kjo nuk mund të konsiderohet vetëm një rrugë që i shërben kësaj zone, por një aks strategjik kombëtar?

Është e pamundur të flasësh me tregues sasiorë për ndikimin e kësaj rruge në jetën dhe zhvillimin ekonomik të gjithë zonës që ajo përshkon, pa një studim të të gjithë faktorëve ekonomikë, kulturorë, socialë etj. Sidoqoftë, nisur nga fakti që kjo rrugë është miratuar për t’u ndërtuar pikërisht se ka ndikim në zhvillimin e zonës që përshkon, duhet thënë që mospërfundimi në kohë i saj ul efektivitetin e projektit, për më shumë, nëse cilësia e ndërtimit nuk realizohet në standardet e kërkuara, ky efektivitet gjymtohet keqas për gjithë kohën e shërbimit.

Hapja e rrugës së Arbërit, nëntor 2020.

Nën tingujt e daulleve dhe “ahengut’ të administratës publike, rruga e Arbërit u hap për kalimin e automjeteve. Kjo me një ceremoni jo aq të organizuar siç u hap tuneli që lidh Sarandën me Gjirokastrën, pasi nuk kishim kor këngëtarësh. Këtu po përdor pak ironi. Si ju duket cilësia e punimeve në ato segmente që konsiderohen të përfunduara?

Shumë larg cilësisë që garanton zbatimi i standardeve të një projekti, qoftë edhe modest.

Pak javë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, njoftoi shpalljen e dy procedurave të tjera tenderuese lidhur me rrugën e Arbërit. Konkretisht ajo për sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve në Planin e Bardhë dhe në Shkallën e Tujanit, ku bashkë me kontratat e supervizimit për këto tendera, kap një vlerë prej afro 20 milionë euro – duke e çuar koston e rrugës në afro 350 milionë euro. Me gjithë këto shtesa fondesh, mos po shkojmë edhe më këtë rrugë, ngjashëm me investime të tjera që janë bërë në vend, ku shtesat e fondeve nga paraja publike janë të vazhdueshme e mund të them marrin edhe një emërtesë si “rrugët e florinjta”?

Nuk dua të spekulloj me shifrat. Në gjykimin e një specialisti shpenzimet i përcakton një preventiv i bazuar në një projekt, oponenca e të cilit ka dhënë vlerësime pozitive. Unë as e kam parë projektin as e kam kontrrolluar preventivin e, as e kam lexuar oponencën. E kam fare të lehtë të them që shifrat janë për “rrugë të florinjta”, retorikë tashmë e dëgjuar nga veshët tanë, por për këtë dua të flas me fakte bindëse. Inisiativën për një oponencë profesionale të akordimit të këtyre fondeve duhet ta ndërmarrë si opozita ashtu edhe shoqëria civile.

Në disa intervista që kemi zhvilluar me njohës të mirë të zhvillimeve për rrugën e Arbërit, hedhin poshtë pretendimet e qeverisë se gjeologjia është problem në zvarritjen e punimeve në tunelin e qafë Murrizit. Por shohin si problem aftësinë e kompanisë për të punuar në vepra të tilla të rëndësishme infrastrukturore, dhe mos kryerja e studimeve serioze gjeologjike para se të niste puna në terren. Sa qëndron një çështje e tillë?

Unë nuk mendoj se gjeologjia nuk është problem, por mund të them se çdo problem ka zgjidhje, kur ai njihet dhe merret përsipër për t’u zgjidhur nga njerëzit që e njohin. Në rastin e “Rrugës së Arbërit”, problemi është marë përsipër për t’u zgjidhur pa e njohur atë, çka do të thotë “ i është hyrë detit me këmbë”, më tej e kanë marrë përsipër ta zgjidhin njerëz që nuk ja kanë takatin. Për më tepër u mungon dhe “inati”. Në këto kushte e kam të vështirë të bëj parashikime, pasi gjykoj se do vazhdohet me “shti ujë e shto miell” dhe… “fajin e ka gjeologjia”.

Sipas jush sa aktive ka qenë opozita për të ngritur zërin për ndërtimin e rrugës dhe ato problematika që kanë dalë në ato segmente që konsiderohen të përfunduara?

Unë mendoj se ka qenë aq retorike sa… mezi pret që ta zgjidhë vetë këtë problem. Opozita po flet kryesisht për “rrugët e florinjta”, ndërkohë që “rrugët mbesin rrugës”. Apeloj për më shumë profesionalizëm në analizën dhe gjykimin opozitar. Në rastin e “Rrugës së Arbërit”  ka vërtet shpërdorime që e venë me “shpatulla për muri” qeverinë, referuar në këtë rast si tek cilësia e dobët e punimeve ashtu dhe shpenzimet e pajustifikuara.

Zvarritja kaq gjatë, sidomos me një ritëm shumë të ngadaltë të punimeve pas zgjedhjeve të 25 prillit, mendon se kemi të bëjmë edhe me një vullnet politik të mazhorancës së sotme që në qarkun Dibër nuk e përmbushi objektivin për të pasur tre mandate?

Natyrisht unë e di se krahu opozitar, do ta rendiste këtë si faktor përcaktues. Sidoqoftë gjithë ecuria e punëve në këtë projekt nuk ka qenë asnjëherë në përmbushjen e afatave të caktuara. Dhe kjo histori vazhdon. Deri kur? Uroj dhe shpresoj të mos e kalojë vitin 2023!

______________________

Prof. Assoc. Dr. Gafur MUKA

Diplomuar në fakultetin Gjeologji Miniera të Universitetitet të Tiranës. Doktor në shkencat inxhinjerike (UPT). Specializime postdoktoriale në Montanuniversitaet Leoben, Austri, RWTH. Për tre vite ka punuar si inxhinier në Minierën e Bulqizës. Prej vitit 1981, Muka punon si lektor në universitete të ndryshme.