Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin që shfuqizon licesimin nga ERE të hidrocentralit në Zall-Gjoçaj

865
Tubacion HEC-i. Foto: Sami Curri

Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë që pezullon vendimin e ERE-s, për licencimin e shoqërisë “Seka Hydropower”shpk, në prodhimin e energjisë elektrike nga HEC “Zais”, në Zall-Gjoçaj të Matit.

Vendimi i ERE-s për licensimin e shoqërisë ishte marrë dy vite më parë në datën 10 nëntor 2020 dhe u kundërshtua nga banorët fillimisht pranë Entit dhe më pas edhe në Gjykatë Administrative. Në janar të vitit 2021, Gjykata Administrative e Shkallës së parë kishte vendosur që ta shfuqizojë pjesërisht vendimin e ERE, pikërisht për pjesën e licensimit të HEC-it Zais, pasi shtrihej në zonën e mbrojtur. Një vendim i tillë ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë.

“Gjykata e Lartë ka vendosur sot në favor të banorëve të Zall-Gjoçaj duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme e duke i hequr licensën kompanisë koncensionare për prodhimin e energjisë për Hec Zajs, në Zall-Gjoçaj! Ky vendim përforcon dy vendimet e mëparshme të Gjykatës së shkallës së parë dhe të Apelit. Por më e rëndësishmja, legjitimon edhe më shumë nga ana juridike betejën 4-vjeçare të komunitetit të zonës. Beteja nuk ka mbaruar, por kjo është një shenjë e mirë për të gjitha lëvizjet mjedisore dhe shoqërore në Shqipëri, të cilat nuk duhet të mjaftohen vetëm me betejat gjyqësore, por as të mos i lënë pa i përdorur ato si mjete në rezistencën e tyre. Zall-Gjoçaj u jep forcë të gjithëve!”, thuhet në deklaratën e grupimit “Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj”.

Banorët dhe aktivistët pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Lartë. Foto: Grupimi “Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj”

Leja për HEC-it në Zall Gjocaj u miratua në tetor të vitit 2018-të nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por që prej fillimit të punimeve, banorët dhe përfaqësues të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC, shoqëruar me protesta në terren dhe para gjykatatave. Ky grupim ka qenë ndër të vetmit në Shqipëri që ja ka dalë që të fitoj një betejë kundër HEC-eve në rrugë gjyqësore.