Gënjeshtra e Kryeministrit Rama për furnizimin 24 orë me ujë të Bulqizës

775

Gjatë një takimi elektoral në Bulqizë me kryetarët e bashkive Mat, Klos dhe Bulqizë, kryeministri Edi Rama tha se falë investimeve të qeverisë, Bulqiza dhe bashkitë e tjera në qarkun Dibër furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.

“Nuk përbën më lajm fakti që në këtë zonë, ne jemi në kushtet ku furnizojmë me 24 orë ujë. Me 24 orë ujë kjo zonë nuk ka pasur as edhe në kohën e monizmit. Kjo është e vërteta. Nuk përbën lajm kjo”, deklaroi Rama.

Deklaratat e Ramës tërhoqi vëmendjen e administratës publike që ishin detyruar të jenë prezent në sallë, por edhe lexuesve në rrjetet sociale që e konsideruan një gënjeshtër të Kryeministrit Rama. Nga verifikimi në terren, por edhe nga komentet e shumta në rrjetet sociale, rezulton se në lagjen e re në Bulqizë nuk furnizohet më shumë se pesë orë në ditë me ujë, ndërsa gjatë stinës së verës, furnizimi me ujë reduktohet në jo më shumë se tre orë. Ndërsa në lagjen e vjetër furnizohet me 12 orë ujë në ditë, ndërsa gjatë stinës së verës jo më shumë se 7 deri në 8 orë. Këto të dhëna pranohen edhe nga Ujësjellës-Kanalizime Bulqizë në raportin e dorëzuar pranë Entit Rregullator të Ujit.

Por është fakt se që prej muajit tetor 2022 banorët e Bulqizës do të paguajnë më shtrenjtë, ujin e pijshëm dhe shërbimin për largimin e ujërave të ndotur. Banorët e Bulqizës do të paguajnë 25 lekë/m³ për furnizimin me ujë dhe 10 lekë/m³ për ujërat e ndotur, apo në total prej rreth 47% më shumë se aktualisht për furnizimin me ujë të pijshëm. Me tarifat e reja, fatura fundore për banorët e zonës do të jetë me një kosto afro të dyfishuar nga sa paguhet aktualisht. Rritje do të ketë edhe për klientët privatë të cilët aktualisht janë faturuar me 75 lekë/m³, por prej muajit tetor 2022 do të faturohen me 83.3 lekë/m³, ndërsa largimi i ujërave të ndotur do të jetë 17 lekë/m³.

Aktualisht edhe në zonat rurale, banorët kanë probleme të shumta për furnizimin me ujë të pijshëm.

Prej dy vitesh në Lagjen e Re ka nisur investimi për rrjetin shpërndarës, por akoma nuk është vendosur në përdorim. Tenderi u fitua nga kompania “Curri sh.p.k” me një vlerë në total prej 523,052,504 lekë (të reja me tvsh) ose për të qenë më të qartë, janë afro 4.4 milionë euro. Vetëm studimi dhe projektimi për ujësjellësin do të kushtonte 9,588,000 lekë (të reja me tvsh) ose 80 mijë euro. Punimet po ecin shumë ngadalë dhe aspak cilësore.