Dy seancat e planifikuara ndaj katër të akuzuarve për manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Dibër në vitin 2016 u shtynë të enjten, pasi në një nga gjyqet mungonte për arsye shëndetësore gjyqtari, ndërsa në tjetrën nuk u paraqit avokati.
Në njërën nga seancat gjyqësore të ditës së enjte, mungoi avokati Gentjan Rumano dhe dy të pandehurit ish-shefi i Komisariatit Dibër Robert Aga dhe Hasan Hoti, ish administratori i Njësisë Administrative Lurë. Në seancë mori pjesë vetëm prokurori Urim Buci.
Në hapje të seancës, gjyqtarja Nertila Kape, bëri prezente mospjesëmarrjen në seancë të avokatit Gentjan Rumano dhe tha se ai nuk kishte sjellë arsye, njëlloj u konstatua edhe për Robert Agën dhe Hasan Hotin, të cilët kanë pretenduar se nuk kishin dijeni.
Në këto kushte prokurori Urim Buci, kërkoi nga gjykata, që të merren masa ndaj tyre. Pas një pushimi të shkurtër, gjyqtarja Nertila Kape, konfirmoi masën 100 mijë lekë të rinj, për avokatin Gentjan Romano. Kjo ishte masa e tretë për avokatin, pasi ai është gjobitur edhe dy herë të tjera, për mungesa pa arsye edhe pse gjykata është tërhequr më pas nga masat e marra.
Në procesin tjetër të po kësaj dosje, përballë akuzave, gjenden Drini Gjeci, ish-drejtor i Arsimit Dibër dhe Hasan Hoti ish-administrator i Njësisë Administrative Lurë, séanca gjyqësore, nuk u zhvillua pasi mungonte gjyqtari Edvan Veçani, i cili kishte njoftuar se është i sëmurë.
Procesi për këtë dosje është zvarritur prej të paktën pesë vjetësh në dyert e prokurorive që ia kaluan atë njëra tjetrës me pretendime kompentecash. Ndërkohë procesi gjyqësor i filluar në shkurt të vitit 2021, për vetëm katër nga një listë e gjatë të pandehurish shumica e të cilëve shpëtuan për shkak të mbarimit të afateve, vijon të shtyhet kryesisht për mungesa të avokatëve dhe sëfundmi edhe gjyqtarëve.