Bulqiza humbet 0-5 kundër ekipit të Naftëtarit

727
Foto ilustruese

Ekipi i futbollit të Bulqizës do të hynte në histori si ekipi që humbi ndeshjen me rezultatin 15 me 0, një rezultat i pa dëgjuar më parë. Fillimisht një rezultat i tillë nxiti shumë diskutime në rrjetet sociale dhe media, duke ngritur dyshime që një ndeshje e tillë ishte shitur nga ekipi i Bulqizës. Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që F.C Bulqiza të përjashtohet nga garat sportive për pesë sezone të njëpasnjëshme dhe të dënohej me gjobë në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë.

Por disa muaj më vonë, Komisioni i Apelit vendosi të fal tri klubet e akuzuara për trukim ndeshjesh, konkretisht: Gramshi, Bulqiza dhe Internacionali, duke i lejuar që të merrnin pjesë në Kategorinë e Dytë për sezonin 2022-2023.

Por ekipi i Bulqizës e ka nisur sërish si mos më keq sezonin, duke humbur me rezultatin 5 me 0 në ndeshjen përballë ekipit të Naftëtarit.

Pavarësisht se me rezultate skandaloze, buxheti i Bashkisë Bulqizë ka qenë shumë dashamirës ndaj ekipit të futbollit “FC Bulqiza” – prej themelimit është financuar me 23,600,000 lekë të reja ose afro 200 mijë euro. Mungesa e terreneve sportive ka sjellë që ekipi të mos zhvillojë asnjë ndeshje apo seancë stërvitore në Bulqizë.