Bulqizë, banorët që kundërshtuan punimet jo cilësore të ujësjellësit, u kërcënuan se do ti çonin në Polici

1348
Punimet për ujësjellësin në Lagjen e Re, Bulqizë

Banorët në Lagjen e Re të cilët kundërshtuan punimet jo cilësore të ujësjellësit të ri, u kërcënuan se do ti çonin në Polici që të mos “ju hapin probleme punonjësve të kompanisë”. Bulqizaime.al ishte sot në të gjitha pallatet ku konsiderohet i përfunduar instalimi i tubacioneve, konkretisht në bllokun e poshtëm të banesave në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Shefqet Tançi”. Banorët tregojnë se i kanë kundërshtuar vazhdimisht cilësinë e dobët të punimeve, por shqetësimi i tyre nuk është dëgjuar. Ata kërkuan që identiti i tyre të mbetej anonim, pasi nuk donin që të kishin probleme me bashkinë dhe kompaninë që po kryen punimet.

“Unë kam pas burrin në spital, Tiranë. Kur erdha unë në shtëpi i kishin vendosur tubat. Po punonin në katin e tretë. Ju tham disa herë si pallat, mos kështu se janë keq tubat se në dimër do ngrijnë. Disa herë ne, një ditë më than boll fole plak llafazane. Than do të marrim Policinë. E qepëm ne se nuk donim telashe. Këtu kanë mbetur vetëm mosha e tretë mor bir, nuk dum halle nga policia prandaj taksirat mos na nxirr në televizor.” tha një banore për Bulqizaime.al.

Punimet për ndërtimin e këtij ujësjellësi kanë nisur që prej vitit 2020, ndarë në dy faza. Tenderi u fitua nga kompania “Curri sh.p.k” me një vlerë në total prej 523,052,504 lekë (të reja me tvsh) ose për të qenë më të qartë, janë afro 4.4 milionë euro. Vetëm studimi dhe projektimi për ujësjellësin do të kushtonte 9,588,000 lekë (të reja me tvsh) ose 80 mijë euro, fituar nga kompania ERALD-G sh.p.k.

Një banor tjetër i tha Bulqizaime.al se ishte përplasur me punonjësit e kompanisë për mënyrën se si po vendoseshin tubacionet, por këta të fundit kishin sjellë Policinë Bashkiake. “Ju dolëm si shkallë ju tham se kështu si po i vendosni tubat nuk ju lejm. Në dimër këtu bëhet kallkan, hapni muret dhe i vendosni tubat. Se ne do rrim këtu jo ju. Don ti e lan punën dhe na sollën Policinë Bashkiake. Ca çuna të ri si halldupat. Than mos guxoni me ju than më gja se do vijmë me Policinë e do ju fusim brenda në burg e do i shifni tubat. Tani shife vetë si janë tubat hava. Gjithë ato lek, por si nuk e bënë një punë të hajrit. Të ketë lezet. Mjer ne pleqt që kemi mbet këtu.”

Pas publikimit të rastit nga Bashkia Bulqizë nuk pati asnjë reagim publik lidhur me shqetësimin e banorëve. Gjithashtu edhe kompania “Curri sh.p.k” që ka fituar tenderin nuk dha asnjë shpjegim publik lidhur me punimet që po kryhen.

Banorë të tjerë u shprehën për Bulqizaime.al se nuk donin të kishin probleme me Policinë dhe kishin heshtur përballë një situate të tillë. “Si të duash than, të sjellim policinë. E qepëm ne, se nuk duam halle nuk kemi takat për me lujt andej nga policia. Këtu në dimër ka ditë që shkojnë edhe -15, zgjat për një javë. Si të ikin ata prej këtu hajde e gjeji pastaj. Këtu nuk ke as bashki as shtet asgjë. Lefteri vjen me ca çuna rrotull, 3 aaa 4 rrin me telefona në dorë për fotografi. Puna fol vetë. Një herë rrugët i lan për një vit a më shumë kanale-kanale, ma ha menja se edhe në Siri që ka në luft prej vitesh nuk janë në këtë lloj derexheje. Për Zotin keq puna, se ky investim nuk bëhet ma. Ne që do të rrimë këtu do përballemi me problemet. Lefteri rri në Tiranë, po ne!”

Edhe pse vetëm 1.5 km larg nga godina e Bashkisë Bulqizë, këta të fundit nuk kanë parë asgjë se çfarë ndodh. Gjatë emisionit “Stop” nga administrata e bashkisë u tha se do të ngrihej një grup pune për të vlerësuar ankesat.