Kur kryeministri Edi Rama, prezantonte programin e qeverisë së tij në Parlament më 11 shtator 2013, duke folur për infrastrukturën, tha se “do ta nisim nga Rruga e Arbërit si prioritet…” Ky ishte premtimi më serioz pas zgjedhjeve, ndërsa gjatë fushatës elektorale, u kishte thënë dibranëve se “Rruga e Arbërit është një projekt kombëtar, është një projekt shumë i rëndësishëm, jo vetëm për ju, por është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Është një projekt që nuk garanton thjesht lëvizjen, nuk shkurton lëvizjen thjesht, po garanton një zhvillim për një territor të tërë, që tani është jashtë hapësirës së zhvillimit dhe është një projekt që për ne hyn tek projektet strategjike, që do ta çojmë përpara me shumë vullnet”.
Nëntë vjet më vonë, sidomos gjatë këtij viti, Edi Rama nuk flet më për Rrugën e Arbërit. Nga prioriteti kryesor i infrastrukturës duket se tashmë është kthyer në një çështje të dorës së dytë në infrastrukturë. Segmente rrugore që kanë nisur njëkohësisht apo më pas ose kanë përfunduar, ose janë në përfundim.
Në vend të kryeministrit tani është ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njëkohësisht edhe e deleguara e Partisë Socialiste në qarkun e Dibrës, e cila ripërsërit takim pas takimi se vonesat në Rrugën e Arbërit kanë ardhur për “shkak të problemeve gjeologjike”.
Fjalët e Ballukut janë përsëritur disa herë vetëm këto dy muajt e fundit, duke filluar nga 7 korriku. Por ministrja, e cila kohët e fundit ka filluar të theksojë se është edhe “mbesë Dibre” nuk ka dhënë asnjë shpjegim se pse segmentet e tjera të këtij aksi nuk kanë mbaruar apo aq më keq, në segmentin e Planit të Bardhë nuk është punuar asnjë ditë që nga nisja zyrtarisht e punimeve. Ministrja nuk jep shpjegime se pse akset e tjera, si ai nga Ura e Brarit deri në Qafë të Tujanit apo segmenti nga Ura e Vashës deri në Qafë të Buallit nuk janë akoma funksionale.
Persona që kanë kontakte me kompaninë thonë për gazetën se “këto segmente, pra, ajo përgjatë Planit të Bardhë apo luginës së lumit të Tiranës, nuk janë përfshirë në kontratën e koncensionit”, gjë e cila është e pavërtetë. Shtojca 10 e kontratës së Konsensionit/PPP të Rrugës së Arbërit të firmosur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë në fillim të vitit 2018, këto dy segmente i njeh si “Segmenti 2 dhe 4”, përkatësisht 5.46 km dhe 9.715 km. Vetëm segmenti Bulqizë – Ura e Çerenecit, i gjatë 20.12 km, konsiderohet i përfunduar në vitet 2009/2011 dhe nuk është i përfshirë në kontratë.
Sot nuk ka asnjë shpjegim nga askush, as nga kompania dhe as nga qeveria se pse segmentet e kësaj rruge ku është lejuar qarkullimi nuk përmbushin asnjë standard sigurie, përveçse një vije të verdhë të pandërprerë, që më shumë se element i sigurisë në rrugë, është një pretekst për shkeljet e rregullave të qarkullimit dhe vendosjen e gjobave me program. Në rrugë aktualisht është e vështirë të qarkullosh, pasi sinjalistika për qarkullimin e sigurt mungon dhe gropat e hapura vazhdojnë të kthehen në një problem për drejtuesit e makinave. By-passi është kthyer në një stres të përditshëm për udhëtarët dhe herë pas here ka bllokime të trakut për shkak të problemeve të rrugës dhe vështirësisë së manovrimit të mjeteve.
Kur në rrugë nisën zyrtarisht punimet u premtua se afati i nisjes së qarkullimit do të ishte në pranverën e vitit 2021, ndërsa afati i përfundimit të punimeve u deklarua nëntor i vitit 2021.
Në fund të prillit 2020, gjatë një vizite në kantier, ministrja Balluku pati folur për herë të parë për “problemet gjeologjike” të tunelit të Murrizit.
“Ura e Vashës përfundoi, por Tuneli i Murrizit duket se nuk do të mbarojë në afat. Ndaj lind nevoja e ndërtimit të një by-passi, i cili nuk është parashikuar në kontratë, gjë e cila do të bëjë të mundur që rruga të hapet për trakun në pranverën e vitit 2021”, i thoshte Balluku kryeministrit Rama, në praninë e presidentit të kompanisë “Gjoka Konstruksion”, Rrok Gjoka dhe inxhinierëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
“Punimet kanë ecur mirë, pavarësisht se ndodhemi në muajin e 22-të, në mes të kontratës (kontrata parashikon 44 muaj punime), punimet kanë ecur dhe janë shumë të avancuara, edhe përtej grakut të parashikuar që kemi pasur” – theksonte në atë kohë Balluku.
Kjo kronikë e 28 prillit, e publikuar në faqen e kryeministrit, ishte sinjali i parë se punimet në Rrugën e Arbërit do të zgjasnin përtej parashikimeve.
“Me këto ritme, tuneli i Murrizit, që është edhe vepra më e rëndësishme e Rrugës së Arbërit, nuk mbaron dot në 22 muajt e ardhshëm të parashikuar në kontratë. Ndaj, del e nevojshme një zgjidhje tjetër”, theksohej nga autoritetet në atë kohë. Dhe zgjidhja u gjet ndërtimi i një by-passi, i cili “nuk do t’i kushtonte” asnjë cent buxhetit të shtetit dhe do të arrihej që rruga të hapej në kohë.
Gënjeshtrat për afatin e mbarimit të punimeve vazhdonin edhe kur kontrata për zgjatjen e afatit ishte rmosur. Në mars të vitit 2021, ministrja Balluku theksonte në emisionin “Absolut 4” në televizionin A2CNN se “Rruga e Arbërit ka edhe 18 muaj për të vazhduar punimet… Në kontratën e saj ajo ka afat përfundimin fundin e vitit 2022”.
Ndërsa në interpelancën parlamentare të 7 korrikut 2022, theksonte se “është kërkuar kohë shtesë prej 17 muajsh…, duke e çuar periudhën e ndërtimit në 61 muaj”. Sipas Ballukut, korriku i vitit 2022 është përkon me muajin e 46 të kontratës.
Më 14 prill 2021, ishte kryeministri Edi Rama që kaloi për herë të parë në Rrugën e Arbërit në ndërtim. Ai tha në mitingun elektoral në Peshkopi së “sot pata mundësinë që ta shikoj gjatë gjithë gjatësisë rrugën e Arbërit, cila është drejt përfundimit, por tanimë është një aks i lidhur”. Gjatë fushatës elektorale u përsërit disa herë se në korrik rruga do të ishte e kalueshme për të gjithë, por kjo nuk ndodhi. Ajo ishte e kalueshme vetëm për zyrtarët e qeverisë dhe për qytetarët që paguanin rojet të çdo trarë të vendosur në rrugë.
Premtimet se rruga do të ishte e hapur në pranverë 2021 u harruan.
STANDARDET SI JUSTIFIKIM
Bashkë me premtimet për Rrugën e Arbërit ishin edhe premtimet për një rrugë me standarde europiane. Tashmë rruga do të ndërtohej në standardet C2, duke rritur kryesisht elementët e sigurisë në qarkullim.
Kur rruga u hap për qarkullim më 29 nëntor 2021, kryeministri Edi Rama dhe ministrja Balluku, së bashku me deputetët e zonës mburreshin për faktin se nisi qarkullimi në rrugë.
“Shumë herë e nisur, por asnjëherë e bitisur, me projekte të lëna në mes dhe punime gjysmake, rruga mbeti për vite të tëra, peng i mentalitetit “shkel e shko”. Sot, kjo rrugë është premtim i mbajtur nga qeveria, që shërben, jo vetëm si aks i brendshëm, por edhe si pjesë e rëndësishme e një korridori ekonomik në rajon”, thuhej në një njoftim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Infrastrukturës.
“Kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022 dhe do të bëjmë të pamundurën për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur” – u shpreh ministrja Balluku më 29 nëntor 2021, teksa tha se “problematike mbetet gjeologjia e veçantë e tunelit të Murrizit, që ka vonuar edhe punimet”.
SHQETËSIMET QË NUK U DËGJUAN
Kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, prof. dr. Bashkim Lleshi, botoi një shkrim në gazetën “Rruga e Arbërit” (korrik 2013), ku kërkonte rishikimin e projektit të rrugës, i cili ishte ndryshuar disa herë për shkak të ndërhyrjeve politike.
Lleshi vuri në dukje katër probleme kryesore të projektit që ishin tunelet e Qafës së Buallit, Gurirt të Bardhë dhe të Murrizit, si dhe Urës së Vashës.
Shqetësimet e profesorit të gjeologjisë, Bashkim Lleshi, u riformuluan sërish në një letër ky drejtuesit e dy shoqatave, “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” dhe “Nisma Dibrane” i shkruajnë në Mars 2014 Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe gjashtë deputetëve të Dibrës.
Asnjë nga qeveritarët dhe deputetët nuk shpehu interesim për letrën. Sot që po përballen me probleme, të gjithë bëjnë të paditurin.
“Megjithëse është deklaruar disa herë për problematikat në formacionet gjeologjike të shfaqura, unë së bashku me disa kolegë të tjerë mbetemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemeve të hasura”, thotë për gazetën, profesor Bashkim Lleshi. Ai është i sigurtë se problematikat kanë ndodhur më shumë për shkak të rrethanave që nuk kanë të bëjnë me gjeologjinë e terrenit.
“Rreth 80% e gjatësisë së tunelit të Murrizit është e ndërtuar nga shkëmbinj gëlqerorë pllakorë, me pak ose pa ujë, me formacione më të qëndrueshme se ato të tuneleve që kemi hapur në Kalimash e në Krrabë, ndërsa vetëm 20% e gjatësisë, në hyrje nga ana e Tiranës, ndërtohen nga shkëmbinj mesatarisht të qëndrueshëm në të cilat fqinji jonë jugor, Greqia, ka ndërtuar mijëra metër lineare tunele në rrugën Janinë–Selanik”, thotë profesor Lleshi.