Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar planin për 46 zona minerare që do të nxirren për konkurrim gjatë vitit 2022. Në publikimin e bërë në Fletoren Zyrtare, thuhet se do të jenë 36 zona që do të jenë për shfrytëzim dhe 10 të tjera për kërkim – zbulim. Në qarkun Dibër janë katër zona të miratuara, konkretisht: Në Dibër një zonë do të jetë shfrytëzim për krom dhe një zonë tjetër në vendburimin Kreja Veriore për kërkim – zbulim. Në Klos do të jetë një zonë shfrytëzimi në fshatin Guri i Bardhë për gur gëlqeror. Në Bulqizë do të jetë një zonë në Ostren për kërkim – zbulim të litium – toka të rralla.
Referuar dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, guri gëlqeror dhe guri dekorativ janë dy mineralet për të cilat do të zhvillohet numri më i madh i procedurave konkurruese për shfytëzim.
Sipas dokumentit të miratuar të gjitha zonat do të kalojnë në procedure konkurruese, dhe asnjë prej tyre nuk do të cilat jetë zonë e hapur. Forma e marrjes së lejes minerare ka rëndësi të veçantë në drejtim të tansferimit të saj.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) parashikon që në tre vitet e ardhshme të kalojë tek privatët 86 zona minerare, përmes hapjes së garave përkatëse.
Plani, sipas një liste tashmë publike, përfshin zona në të gjithë vendin për shfrytëzim kundrejt investimeve përkatëse që do t’iu kërkohen më pas bizneseve gjatë periudhës së garës. Të ndryshme janë edhe mineralet që mund të nxirren në këto zona.
Dhënia e të drejtave minerare për këto zona do të realizohet, sipas legjislacionit për dhënien e të drejtave minerare për zonat konkurruese dhe për zonat e hapura.
Veprimtaria studimore gjeologjike gjatë kësaj periudhe përfshin: a) rivlerësimin e resurseve minerare, nëpërmjet përgjithësimit të të dhënave komplekse gjeologjike, vlerësimin e planifikimit territorial, mirrimin e territorit dhe vlerësimin e rrezikut gjeologjik; b) monitorimin e vazhdueshëm të ujërave nëntokësore.
Produkti vjetor minerar parashikohet me një rritje deri në 5% në vit, sipas dokumentit të bërë publik nga ana e MIE.
Referuar planit 3 vjeçar të MIE thuhet se zonat minerare, në të cilat është revokuar leja minerare apo mund të revokohet leja minerare për shkaqe ligjore, mund të shpallen si zona të reja konkurruese, pavarësisht se nuk janë përfshirë në programin e veprimit për zbatimin e strategjisë minerare, për periudhën 3-vjeçare 2022–2024.