Mat, zbulohen parcela me kanabis, policia arreston një person, një tjetër në kërkim

1883
Aksioni i policisë në Mat. Foto: DVP Dibër

Policia e Matit arrestoi një person dhe shpalli në kërkim vëllain e tij për kultivim të bimëve narkotike, në një operacion të koduar “Zalli i Bazit”.

“Komisariatit të Policisë Mat, bazuar në informacione të marra në rrugë policore për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Zalli i Bazit”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi i shtetasit A. L., 44 vjeç, banues në Baz, Mat, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi A. L., 36 vjeç. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kultivuar në një zonë të pyllëzuar të njësisë administrative Baz, bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga DVP Dibër.

Policia bën me dije se 36-vjeçari A. L. ka qenë i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burgim për një rast kultivimi të bimëve narkotike në vitin 2019, nga të cilat i kanë mbetur pa vuajtur dhe 1 vit e 1 muaj burgim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme hetimore.