Shtyhet për herë të disatë gjyqi për çështjen 184 në Dibër

1165
Foto ilustruese nga Bulqizaime.al

Seanca gjyqësore ndaj të pandehurve për abuzim me detyrën në lidhje me krimet zgjedhore të vitit 2016 në Dibër u shty të martën për herën e katërt radhazi për shkak të mungesës së avokatit Gentian Rumano. Në seancë u paraqitën të pandehurit Drini Gjeci dhe Nuri Meda, të cilët akuzohen se abuzuan me detyrat shtetërore me qëllim që të kërcënonin votuesit të votonin për kandidatin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e parakohshme për kryetar bashkie, një dosje voluminoze e njohur në media si Dosja 184.

Të pandehurit thanë se avokati i tyre Gentian Rumano mungonte dhe se i kishte njoftuar që t’i kërkonin sekretarisë së gjykatës të kontrollonte emailin zyrtar.

Sekretaria bëri të ditur në seancë se emaili zyrtar i gjykatës nuk funksiononte për shkak të defektit të sistemit shtetëror të emaileve zyrtare të mirëmbajtura nga AKSHI. Gjyqtari Edvan Veçani nuk ishte në gjendje të gjykonte meritat për mungesën e avokatit në një çështje që është zvarritur që prej shkurtit të vitit 2021, kryesisht për shkak të mungesave të avokatëve.

Prokurori ka kërkuar dy vjet burg me kusht për secilin prej të pandehurve dhe dy vjet ndalim nga mbajtja e pozicioneve publike. Në seancën pasardhëse mbrojtja duhet të paraqesë pretendimet përfundimtare para se gjykata të japë vendimin.

Ish-drejtori i Zyrës Arsimore, Drini Gjeci, akuzohet se ka kërcënuar mësuesit të mbështesin Partinë Socialiste ndërsa Nuri Meda, ish-administrator i njësisë Administrative Tomin, akuzohet se ka marrë porosi nga një i hetuar, të heqë nga lista e ndihmës ekonomike personat që nuk kanë votuar këtë parti.

Krimet për të cilat akuzohen të pandehurit u kryen në shtator të vitit 2016 kur në Bashkinë Dibër u zhvilluan zgjedhje të parakohshme pas shkarkimit të ish-kryebashkiakut, i cili u regjistrua në video duke kërkuar seks në shkëmbim të rrijes së pagës nga një punonjëse e bashkisë.

Gjashtë vjet më vonë, prokuroria ka pushuar hetimet për shumicën e të akuzuarve për blerje votash dhe krime të tjera zgjedhore me argumentin se këto krime janë parashkruar. Nga dosja voluminoze nën akuzë kanë mbetur Gjeci dhe Meda ndërsa një i tretë, ish-shefi i policisë Robert Aga, po gjykohet në një çështje veçmas.