Aksident në galeritë e kromit në Bulqizë, humb jetën minatori 52-vjeçar

9707
Foto ilustruese në galeri kromi në Minierën e Bulqizës. Foto: Albchrome

Një 52-vjeçar humbi jetën, pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në një galeri kromi, në minierën e Bulqizës. “Në një subjekt minerar në Bulqizë, dyshohet se gjatë punës është aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasi S. D., rreth 52 vjeç, minator” thuhet në njoftimin e DVP Dibër. Policia nuk dha detaje për subjektin se ku ka ndodhur aksidenti.

Galeritë e Bulqizës janë një prej zonave me më shumë aksidente të rënda në punë në Shqipëri, sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës, gjatë vitit 2021 në miniera-karriera u aksidentuan 28 persona, ndërsa 6 prej të cilëve humbën jetën. Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera i’u shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020.