E drejta për tubim, Prokuroria e Dibrës rrëzon referimet e policisë ndaj protestuesve

1637
Qindra qytetarë protestuan të enjten për rritjen e çmimeve të karbuarntit dhe produkteve të shportës ushqimore. Foto: Bulqizaime.al

Prokuroria e Dibrës njoftoi mosfillimin e procedimit penal për 12 protestues të kallëzuar nga Komisariati i Policisë Bulqizë, gjatë protestave kundër rritjes së çmimeve të zhvilluara në mars të këtij viti. Në vendimin e mosfillimit të procedimit penal, prokurori i Dibrës, Urim Buci arsyeton se e drejta për tubim sa kohë nuk përbën cënim për sigurinë publike e të ngjashme nuk mund të kufizohet.

“Ligji parashikon se çdo person ka të drejtë të organizojë dhe të marrë pjesë në tubime paqësore, e drejtë e cila mund të kufizohet vetëm në raste të parashikuara shprehimisht”, arsyeton prokurori.

Buci thotë se mos zbatimi i urëdhrit të punonjësve të policisë për të liruar rrugën, nuk është i të njëjtit karakter detyrues ndaj protestuesve sa kohë protesta është e ligjshme dhe ka shkelje të tjera që do të detyronin shpërndarjen e saj. “Këmbëngulja e protestuesve për të qëndruar në rrugë dhe mos zbatimi i urdhërit të punonjësit të policisë për lirimin e rrugës, nuk janë të një karakteri detyrues në rastin e tubimeve apo protestave paqësore – si një e drejtë ligjore dhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, arsyeton Buci.

Prokurori ka arsyetuar se nuk kishte vepër penale as për akuzën e mosbindjes ndaj urdhërit të punonjësit të policisë dhe as për atë të bllokimit të rrugës.

Por ndërsa prokuroria nuk ka gjetur shkelje në sjelljen e protestuesve, bazuar në përgjigje të një kërkese për informacion, BIRN mësoi se Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, ka ndëshkuar me masa administrative 18 persona të cilët kanë marrë pjesë në protestë me makinat e tyre. Sipas DVP Dibër të ndëshkuarit kishin bllokuar qarkullimin duke ndaluar makinat në rrugë.

Dy prej të gjobiturve i thanë BIRN në kushte anonimati se masa ishte hakmarrëse dhe se ata nuk i kishin ndaluar makinat në rrugë. Një nga personat tha se fillimisht i ishte vendosur një gjobë prej 25 mijë lekësh dhe pas apelimit gjoba ishte ulur në 3 mijë lekë. “Në asnjë moment nuk kam penguar qarkullimin. Kam protestuar, kam ardhë nga fshati dhe e kam lënë makinën në anë të rrugës”, tha një nga të gjobiturit.

Një tjetër person, i tha BIRN se një sjellje e tillë me gjoba pa arsye është një përpjekje për të përcjellë frikë që mos të ketë më tubime të tjera në të ardhmen.

Gjatë protestave të muajit mars për kundërshtimin e rritjes së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve, u ndaluan nga policia qindra protestues. Avokati i Popullit dhe disa organizata të shoqërisë civile i cilësuan shqetësuese dhe në disa raste në tejkalim të kompetencave për arrestimin e protestuesve paqësor. Ndalimet u denoncuan nga aktivistët si përpjekje për të dekurajuar protestën dhe dënuan si shqetësuese përdorimin e policëve civilë për të ndaluar protestues.