Nga 1 maji të gjitha shërbimet online

841
Foto ilustruese

Duke filluar nga 1 maji do të mbyllen sportelet në institucionet shtetërore, për t’i hapur rrugë ‘epokës’ së shërbimeve pa sportele ku të gjitha shërbimet do të merren online.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama në aktivitetin informues të mbylljes së sporteleve të shërbimeve publike dhe kalimin e tyre online.

Sipas Ramës, Shqipëria ka hyrë në elitën e vendeve më të zhvilluara për qeverisjen digjitale.

“Shembulli i DPSHTRR përbën një burim shumë domethënës informacioni dhe eksperience për këtë proces tërësisht transformues që e çon administratën nga një makineri e shtrirë në territor në një instrument në shërbim të çdo qytetari në xhep, në smartphone apo kompjuterin më të afërt. Është një transformim i jashtëzakonshëm për të cilin ka një shembull ndër shumë të tjerë. Vetëm përmes digjitalizimit i është dhënë mundësia administratës të bëjë performancën më të lartë. Në datën 30 prill nuk ka më sportele në Shqipëri”. tha Rama.

Kryeministri Rama, njoftoi se nuk  më asnjë kuptim që në pikat e gjendjes civile të shpërndahen certifikata letër, duke qenë se gjithçka mund të realizohet online.

“I kam kërkuar sekretarit të ministrisë së Brendshme që të marrë të marrë të gjithë printerat dhe letrat në mënyrë mos ketë asnjë mundësi certifikata me letra, nuk ka nevojë. Është humbje kohe është humbje para dhe humbje kohe për njerëzit. Janë 7 milionë euro që janë kursyer nga sportelet që harxhoheshin për të marrë letra. Dhe do të kursehen edhe më shumë. Është e padrejtë që njerëzve vazhdon dhe i jepen certifikatë letër”, tha Rama.

Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj tha se brenda dy viteve ambicia është një sistem i qendërzuar për punën e administratës publike. Sipas saj nga 30 prilli, do të ndryshojë mënyra se si administrata i shërben qytetarëve dhe bizneseve.

Ndërsa drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Pranvera Fagu shpreh se duke nisur nga 30 prilli, do të jenë të mbyllura të gjithë sportelet e QKB dhe çdo gjë do të kryhet përmes shërbimeve online. Ajo u bëri apel bizneseve që të pajisen me nënshkrim elektronik për të përfituar shërbimet.