Grupi i rithemelimit të Partisë Demokratike, ka njoftuar se procesi zgjedhor për drejtuesin e degës së Bulqizës do të nis sërish këtë të martë, datë 26 prill 2022. Këtë herë gara do të jetë ndërmjet dy kandidatëve: mjekut Fatos Hoxha dhe avokatit Shaqir Manjani. Kryetari aktual i degës së Partisë Demokratike në Bulqizë, Dëfrim Fiku u tërhoq nga gara për një tjetër mandat.
Fillimisht procesi për zgjedhjen e kryetarit të degës ishte lajmëruar për të dielën, por pas përplasjeve për shkak të mos dakordësisë me listat e anëtarësisë, zgjedhjet u anuluan. Po këtë të martë do të zhvillohet edhe kuvendi i degës së Partisë Demokratike në Bulqizë, ku do të zgjidhet kryesia dhe delegatët për Kuvendin Kombëtar të kësaj force politike.
Grupi i rithemelimit të PD-së, ka lajmëruar se procesi i votimit do të zhvillohet pranë ambienteve të qendrës së kulturës nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 19:00. “Anëtarët të cilët nuk janë përfshirë në listat e votimi për nesër, duhet të kenë një dokument anëtarësimi nga viti 1990-të e në vazhdim, përveç kartës së identitetit për të votuar.” thuhet në njoftimin e grupit të rithemelimit të Partisë Demokratike.
Një proces i tillë e gjen Partinë Demokratike në “dilemë ligjore” dhe të përçarë, pasi Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka marrë në shqyrtim statutin e miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit. Në PD ka një përplasje statutesh pasi më herët gjykata ka regjistruar vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit të organizuar nga mbështetësit e Berishës, duke njohur kështu “Komisionin e Rithemelimit” si drejtues të partisë dhe jo nënkryetarët dhe drejtuesit e tjerë.
Ndërkohë, nëse gjykata miraton ndryshimet e vendosura nga Kuvendi i 18 dhjetorit, atëherë Sali Berisha është përfundimisht i përjashtuar nga Partia Demokratike, ndërkohë që mbetet në fuqi deri në një vendim të dytë vendimi për njohjen e “Komisionit të Rithemelimit” si drejtues të partisë.