Prokuroria kërkon dënim me kusht për dy të pandehur të Dosjes 184

1965
Ish-drejtori i Zyrës Arsimore Dibër, Drini Gjeci dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, gjatë një seance gjyqësore për të ashtuquajturën "Dosja 184" në Gjykatën e Dibrës | Foto ilustruese: Bulqizaime.al

Prokuroria e Dibrës kërkoi të martën shpalljen fajtor për ish-drejtorin e Zyrës Arsimore, Drini Gjeci për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” kryer më shumë se një herë – Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, për shpërdorim detyre, si pjesë e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër.

Prokurori i Dibrës, Urim Buci kërkoi në sallën e gjyqit 3 vjet burg për Drini Gjecin dhe Nuri Medën, ndërsa tha se në zbatim të gjykimit të shkurtuar për të dy të akuzuarit ky dënim ulej në 2 vjet.

Prokurori po ashtu kërkoi pezullim të dënimit meqenëse të pandehurit nuk paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Ai kërkoi që të dy të vendoseshin në provë për një periudhë kohe prej tre vitesh. Po ashtu për të dy të akuzuarit u kërkua ndalimi për të kryer detyra dhe marrë funskione publike, po për dy vjet.

Mbrojtja e të pandehurve ka këmbëngulur në pafajësi, ndërsa konkluzionet e avokatëve pritet të paraqiten në seancën në vijim.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë disa persona, përfshi të pandehurit e mësipërm, në manipulimin dhe blerjen e votës në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016, u zvarrit mes prokurorive të Dibrës, asaj të Krimeve të Rënda dhe SPAK për gati 5 vjet. Ajo u dërgua në gjykatë në fund të vitit 2020 vetëm për 4 të pandehur dhe në 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim.

Dosja më pas u nda në dy pjesë të pandehurit Gjeci dhe Nuri Meda, për të cilët pretenca u lexua të martën kërkuan gjykim të shkurtuar. Megjithatë gjyqi ndaj tyre vijoi për mbi një vit dhe u shty disa herë për mungesë të avokatëve e mosnjoftim të personave të tretë palë në proces.

Ndërkohë procesi tjetër ndaj Robert Agës, ish-komisar i Policisë së Dibrës dhe Hasan Hotit ish-administrator i Lurës po zhvillohet në një gjyq normal në të cilin mbrojtja thirri disa dëshmitarë.

Seanca edhe për këtë ghyq të dytë u zhvillua po të martën. Në këtë seancë ishte i pranishëm dëshmitari i fundit thirrur nga i pandehuri Aga, Dritan Isaku. Ky i fundit, njësoj si dëshmitarë të tjerë më herët, deklaroi në sallën e gjyqit se gjatë periudhës së zgjedhjeve lokale në vitin 2016-të ishte sulmuar fizikisht nga persona që mbështeteshin prej deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Isaku mohoi se në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016-të të kishte pas ndikim nga Aga mbi votuesit.

Seanca e radhës për të akuzuarit e Dosjes 184 është vendosur më 4 maj.