Jo Skavicës – zhduk qytetërimet e hershme dibrane!

942
Prof. Dr. Adem Bunguri gjatë një takimi në Bulqizë. Foto: MSG Promotion

Dy janë çështjet aktuale me rëndësi jetike për Dibrën: Rruga e Arbërit dhe HEC i Skavicës! E para e shpëton Dibrën, e dyta e përmbyt atë dhe e asgjëson si tërësi gjeografike, historike dhe etno-kulturore mijëravjeçare!.

Skavica

Për hir të së vërtetës, një projekt për ndërtimin e një HEC mbi Skavicë, ka qenë hartuar edhe në kohën e komunizmit, përkatësisht në vitet 1983-1984. Sipas ekspertëve të hidroteknikës së asaj periudhe, qeveria Çarçani u tërhoq nga ndërtimi i këtij HEC-i, përballë kostos së madhe të humbjes së tokave më të mira dhe më pjellore të këtij rajoni. Se Dibra është konsideruar gjithnjë si “Myzeqeja e Shqipërisë” Lindore! Kjo çështje qe rihapur në shkurt 2010 nga qeveria Berisha, dhe shihej në atë kohë si zgjidhje e problemit të përmbytjeve në zonën Shkodër-Lezhë, edhe pse më vonë u gjetën zgjidhje të tjera shumë më racionale. Banorët e Dibrës e kundërshtuan këtë projekt, kundërshti që e kanë shprehur prej kohësh në shtypin periodik disa nga përfaqësuesit e spikatur të publicistikës dibrane si z. A. Hoxha, z. B. Karoshi, z. A. Ashiku, z. V. Hoxha, z. M. Koltraka, z. Sh. Skara etj. Për fat të mirë, qeveria demokratike e asaj periudhe u tërhoq nga kjo ndërmarrje me pasoja të padëshirueshme për Dibrën.

Në kushtet e mungesës së plotë të transparencës qeveritare lidhur me këtë problem, dëshëroj t’u kujtoj një ndodhi të para rreth 2000 vjetëve në Romën e lashtë atyre që nuk e kanë lexuar Senekën. Filozofi Seneka (4 para Kr.-65 pas Kr.), në vitet e fundit të jetës së tij ishte këshillltar i diktatorit Neron (54-68 pas Kr.). Kur perandori Neron dogji Romën, i frikësuar në palcë nga vala e hakmarrjes popullore, e pyeti Senekën se ç’mund të bënte për të shpëtuar kokën nga urrejtja e turmës, dhe ky i fundit e këshilllonte perandorin e tij “që t’i gënjente romakët”, pasi “populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!”.

Më poshtë po parqesim reagimin tonë të fortë kundër këtij projekti, për arsyet e mëposhtme:

Për arsye gjeografike dhe ekologjike

Skavica përfaqëson një prag të lartë shkëmbor që ngrihet midis fshatrave; Qafë-Draj të Reçit të Dibrës në jug dhe Ujmisht të zonës së Lumës së Kukësit në veri, dhe që në kuptimin gjeografik, ndan pellgun e Peshkopisë nga ai Bicaj-Kukës.

Në gjeomorfologjinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit perëndimor, lugina e Drinit të Zi, përfaqëson padyshim një nga koridoret më të rëndësishme lumore. Pellgu ujëmbledhës i Drinit të Zi me sipërfaqe 5885km2 përbën bazën e një eko-sistemi mijëravjeçarë. Në shënimet e tij mbi gjendjen në epokën e bronzit, Apolloni i Rodosit e përshkruan Drinin e Zi si “lumin e thellë e të zi, afër enkelejve”. Në rajonin e Dibrës shtrihet rrjedha e mesme e luginës së këtij lumi, me një gjatësi prej 75 km, duke filluar nga gryka e Jabllanicës ku ndahet me Strugën në jug deri në pragun e Skavicës në Qafë Draj në veri. Në këtë luginë lumore, si askund tjetër, alternohen pellgjet dhe pragjet lumorë, në një harmonizim të përsosur gjeomorfologjik. Këtu vargmalet lindore e ato perëndimore herë largohen duke të shpalosur para syve fusha të bukura e pjellore, siç ndodh në pellgun e Dibrës dhe në atë të Peshkopisë, dhe herë afrohen dhe të detyrojnë të ngjitesh në qafat kufizuese apo pragjet malorë, siç ndodh në qafën e Qenokut dhe pragun e Dovalanit në jug, apo qafën e Draj-Reçit dhe pragun e Skavicës në veri.

Me luginën e tij gjatësore, ky lum ka krijuar që në lashtësi jo vetem një vend tërheqës për banim, por edhe një arterie të rëndësishme natyrore, që lidh Shqipërinë Lindore me Maqedoninë Perëndimore, Kosovën. si dhe viset fqinje dhe ato më të largëta. Ne rajonin ne shqyrtim, Drini i Zi formon dy pellgjet me te medha te tij, atë të Dibrës (15 x 9 km) me lartësi 400-450 m mbi nivelin e detit dhe atë të Peshkopisë (8 x 6km) me lartesi 300-350m, të ndarë nga pragu i Dovolanit dhe qafa e Qenokut. Falë aluvioneve dhe sedimenteve pjellore te shtresezuara në shekuj, keto pellgje janë mjaft të begatë, dhe përbëjnë zonat më të rëndesishme bujqesore dhe ekonomike të ketij rajoni. Lugina e mesme e Drinit të Zi, është jo vetëm lugina lumore më e bukur dhe më e begatë në Shqipëri, por ndër më të bukurat në botë. Populli i Dibrës nuk do të lejojë përmbytjen e kësaj pasurie të rrallë!

Për arsye ekonomike dhe demografike

Territori i rrethit të Dibrës ka këtë strukturë tokash: fushat lumore me lartesi 300-600m zënë 13.7% të sipërfaqes, zona kodrinore paramalore me lartesi 600-1000m ze 30% e saj, malet me lartesi 1000-2000m zenë 53.5% të territorit, ndersa pjesa tjeter (2.8%) zihet nga malet e larta mbi 2000m. Këto të dhëna janë për pjesën e Dibrës që shtrihet në Republikën e Shqipërisë. Pra tokat më të mira të këtij rajoni, të tipit aluvional, me strukturë pedologjike mjaft pjellore, gjenden anash shtratit të Drinit të Zi, dhe do të asgjësoheshin përgjithmonë nga realizimi i këtij projekti. Ndërtimi i HEC të Skavicës do të sillte mjaft pasoja negative social-ekonomike dhe kulturore, por mbi të gjitha ai do të përmbyste përjetësisht një nga zonat më të rëndësishme të Shqipërisë lindore, siç është pellgu i Dibrës.

Së pari, asgjesimi përfundimtar i pjesës më pjellore të tokës së Dibrës, do t’i hiqte asaj bazën e nevojshme ekonomike që e ka mbajtur popullsinë dibrane aty prej më shumë se 8000 vjetësh. Fusha e Dibrës historikisht ka qenë hambar për Malet e Dibrës, dhe të dy këto njësi të saj kanë qenë përherë në marrëdhnje komplementësie ekonomike njera me tjetrën. Fusha e Dibrës e furnizonte Malësinë me drithra buke dhe merte prej saj prodhime drusore e blektorale etj. Në vitet më të vështira të krizës së bukës gjatë luftës së parë botërore, përkatësisht kohën e pushtimit serb (1913-1921) dhe atij austro-hungarez (1916), hambarët e Dibrës nuk u thanë nga drithi, përveçëse u dogjën nga hasmi. T’i heqësh Dibrës këtë pjesë organike të saj, ta gjymtosh atë, është sikur t’i presësh gjymtyrët trupit të njeriut. Dhe unë besoj se qeveria do ta rishqyrtojë këtë çështje jetike për Dibrën. Dibra nuk mund të flijohet dhe të sakrifikohet për të shpëtuar të tjerët, edhe pse ajo i ka ndihmuar gjithnjë të tjerët, kur ata kanë pasur nevojë. Në këtë kontekst mjafton të kujtojmë se vetëm dibranët qëndruan përkrah shkodranëve, kur Shkodra ishte rrethuar nga pushtuesit malazez në vitin 1912-1913!

Së dyti, duhet të kujtojmë se fusha e Dibrës nuk është tokë e krijuar nga tharjet e kënetave apo moçaleve, as me punë angari të të burgosurve politikë. Ajo nuk përfshihet në këto kategori. Ajo është trashëguar brez pas brezi, dhe është blerë e shitur me flori. Kjo është arsyeja që në Dibër nuk u zbatua dhe as që mund të zbatohej ligji bolshevik nr. 7501 i vitit 1991.

Së treti, përmbytja e Dibrës do të provokonte një lëvizje të madhe demografike dhe do të sillte probleme të mëdha sociale për këtë brez dhe për brezat e ardhshëm.

Protesta e banorëve të Dibrës kundër ndërtimit të HEC Skavicës. Foto: Gazeta “Rruga e Arbërit”

Për arsye arkeologjike

Si arkeolog më duhet të mos heshtë. Si arkeolog kam shkelur në çdo fshat të Dibrës. Si arkeolog i them me bindje JO SKAVICËS! E them këtë pasi nëntoka e Dibrës ruan në gjirin e saj vlera të jashtëzakonshme arkeologjike, të cilat sapo kanë filluar të zbulohen e të studiohen. Në bazë të studimeve të derisotme, rezulton se ky është një ndër rajonet më të përshtatshëm gjeografiko-topografik, me kushte jetësore optimale për jetesë, gjë që ka përcaktuar edhe hershmërinë e banimit të tij nga njerëzit që në prehistorinë e largët. Lugina e mesme e Drinit të Zi, territorialisht e lidhur me këtë rajon, përfaqëson zonën ku janë evidentuar gjurmët më të hershme të qytetërimit neolitik në Shqipëri, kronologjikisht të lidhur me gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të VII para Kr. Fshatrat më të hershëm neolitikë të këtij rajoni dhe ndër më të hershmit në Shqipëri janë Burimi, Cetushi, Kronëzat (Fushë-Alie), prej të cilave, dy të fundit përfshihen brenda kuotave të përmbytjes, pasi janë shumë afër bregut të djathtë të Drinit të Zi.

Nëpër këtë luginë kalonte degëzimi verior i Egnatias antike, që bashkonte dy tranversalet më të mëdha tranballkanike, atë Egantia në jug (Ohër) dhe atë Lissis-Naissus në veri (Kukës). Në zonën e përfshirë nga harta e liqenit të HC të Skavicës do të përmbyteshin përgjithmonë, pa u prekur nga arkeologët, një arkiv i vërtetë vlerash dhe artefaktesh arkeologjike, që gjenden në këtë hapësirë. Duke filluar nga Skavica, pra nga veriu, e duke u ulur në drejtim të jugut, mund të përmendim sitet arkeologjikë të rrezikuara nga përmbytja:

• Zona tumulare e Draj-Reçit (tek Trocet)

• Zona tumulare e Zalldardhës (Qyteti në Majë Meje)

• Vendbanimi prehistorik “Çuku i lekës”(Zall-Dardhë)

• Vendbanimi eneolitik “Kodra e qytetit” (Zall-Sinë)

• Vendbanimi neolitik i Kronëzave (Fushë-Alie)

• Stacioni rugor në “Xhiret e Përnezhe” (Fushë-Alie)

• Vendbanimi prehiatorik në “Rrokoçele të Kutës”, Blliçe (Fushë-Alie)

• Vendbanimi prehistorikt në “Kodra e Ferrës” në Blliçe (Fushë-Alie)

• Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Pareve” në Blliçe (Fushë-Alie)

• Venbanimi prehistorik i Cetushit

• Vedbanimet prehistorike dhe antike të Kastriotit.

• Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Ballës” në Muhur

• Vendbanimi eneolitik i Gradecit (Brezhdan)

• Vedbanimet prehistorike dhe antike të Ushtelenzës

• Vendbanimi prehistorik i Selanes

• Kisha mesjetare në Katund të Ri

• Vendbanimi antik dhe mesjetar i Gradecit (Gradec)

• Vendbanimi prehistorik dhe antik i Topojanit

• Vendbanimi prehistorik “Tuma e Zojcës” (Mazhicë)

• Nekropoli i periudhës romake i Gjoricës së Poshtme

• Nekropoli i periudhës antike i Sofraçanit

• Kalaja ilire e Tuçepit ose Lladomericës etj

Kjo do t’i shkaktonte një dëm të madh shkecës sonë arkeologjike. Nga ana tjetër ajo do të plotësonte dëmin e krijuar në pjesën lindore të Dibrës, që shtrihet në territorin e Maqedonisë së veriut, ku në vitin 1964 u përmbyt përjetësisht fusha e Udovës, më e madhja dhe më pjellorja e pellgut të Dibrës. U krye me atë rast një gërmim i vogël shpëtimi, sa për të thënë, dhe u varrosën nën ujë vlera të pallogaritshme arkeologjike.

Për arsye historike

Është theksuar shumë kohë më parë roli i rëndësishëm i Dibrës dhe kontributi i saj i veçantë në historinë nacionale, në të gjitha etapat e zhvillimit historik e shoqëror. Përmbytja e saj do të thotë përmbytje e të gjithë kësaj historie. Një moment i lavdishëm i saj është padyshim epopeja Skënderbejane e mesit të shek. XV, dhe luftërat e tij fitimtare, atdheu historik i të cilave, është vetë Dibra, ku Skënderbeu zhvilloi 19 nga 24 betejat e tij. Pikërisht kjo Dibër tani rezikohet nga përmbytja! Me këtë veprim të nxituar, zhduket ose përmbytet përjetësisht një pjesë e territorit hapësinor të kësaj epopeje!

Të ndalemi tek luftërat e Dibrës kundër pushtuesëve serbë të viteve 1912-1921. Ofensiva serbe e tetorit 1913 dhe ajo e vitit 1918, nuk lanë fshat të Dibrës pa djegur dy e tri herë. Pushtuesit serbë me sadizmin e tyre çubriloviçianë dhe taktikën e “tokës së djegur”, kryen në këtë hapësirë masakra nga më të tmershmet, që mund të imagjinohen nga mendja njerëzore. Nuk ka pëllëmbë të tokës dibane, që nuk u skuq nga gjaku i bijëve të saj, në mbrojtje të vatanit. Këto janë të dokumentuara në arkivat e kohës, në memorien popullore, por edhe në toponimet e shumta të kësaj periudhe si “vorret e vrame”, “vorret e serbit”, “vorri i gruas”, “vorri i nuses”, “vorret e cullve” etj, që tani duam t’i mbysim e ti fshijmë nga kujtesa historike. Ndërsa shkruaj me nervozizëm këto radhë, më vjen në mendje postulati: “Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshishë kujtesën e tij historike. Shkatëroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëhere vini dikë të shkruaj libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harroj se çfarë është dhe çfarë qe.”

Lugina e Drinit të Zi, Dibër. Foto: Bujar Karoshi

Për arsye gjeostrategjike

Është vështirë të mendohet, por përmbytja e Dibrës të duket si një plan i hartuar jo në Tiranë, por në kancelaritë e vendeve fqinje që dikur donin ta përfshinin Dibrës brenda kufijve të tyre dhe që kërkonin të vinin kufirin e tyre strategjik përgjatë Drinit, ose në vargun e maleve perëndimore të Dibrës. Mjaft të sjellim ndër mend faktin se “Naçertania” famëkeqe e I. Garashaninit (1844) parashikonte edhe “aneksimin e trojeve shqiptare të Vilajetit të Kosovës si dhe të pjesëve veriore dhe qëndrore të Shqipërisë”. Meqenëse këto plane nuk u realizuan falë luftës, qëndresës heroike dhe gjakut derdhur të këtij populli, atëherë përmbytja e sotme e Dibrës, me ose pa dashje, a nuk duket se i ngjan, qoftë edhe formalisht, këtyre planeve antishqiptare?! Është e tepërt të kujtoj se me këto qëllime të mbrapshta ishte përmbytur nga pushteti sllavo-maqedonas edhe pjesa lindore e Dibrës dmth fusha e madhe e Udovës në Dibrën e Madhe (FYROM) me sipërfaqe 1340ha, me pretekst të ndërtimit të HC të Spilesë!.

Për arsye klimatike

Tek arsyet klimatike vetëm do të përmendja prishjen e ekosistemit natyror si dhe faktin se rritja e sipërfaqes së pasqyrës ujore do të rriste menjëherë lagështirën absolute dhe relative të ajrit, e cila do të ndikonte drejtpërdrejtë në ritjen e sëmundjeve reumatizmale dhe artriteve tek popullata aktive për punë, ajo e re dhe e mesme, madje dhe tek fëmijët, që sapo të dilnin në rrugë do të ndesheshin me mjegullën dhe ajrin e lagësht që do të vinte nga pasqyra e liqenit të stërmadh të Skavicës.

Për arsye juridike

Në të gjithë botën e qytetëruar, para se të merren vendime të tilla që ndikojnë drejtpërdrejtë në ekosistemin e një rajoni të dhënë dhe në jetën e mijëra banorëve, organizohen referendume popullore. Pasi një qeveri e përgjegjshme, punon për interesat themelore të qytetarëve të vet. Të gjithë e dimë mirë dhe qeveria e din edhe më mirë, se në pikëpamje juridike, sikur qoftë edhe një pronar i vetëm i zonës së përmbytur, të mos jap pëlqimin e tij, HC nuk mund të ndërtohet! Dhe meqë jemi tek binomi qytetarë-qeveri, më vjen në mendje postulati i gazetarit të njohur amerikan Eduard R. Murrow “A nation of sheep will beget a government of wolves”. Përkthimin e saj në shqip unë nuk do ta bëj, pasi sot anglishten e njohin pjesa dërmuese e brezit të ri dhe e intelektualëve, dhe ky përkthim praktikisht është i panevojshëm.

Esse në vend të mbylljes

Unë nuk i kuptoj dibranët që nuk po e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë “dashurinë” e madhe të qeverisë së tyre për Dibrën dhe trashëgiminë e saj historike e kulturore! “Dashuria” e qeverisë është kaq e madhe, sa që kërkon përmbytjen e përjetshme të vetë Dibrës dhe të historisë së saj! Në emër të kësaj “dashurie” kërkohet të ndryshohet deri edhe harta gjeografike e Shqipërisë Lindore, ku vendin e tokave më pjellore të Dibrës do t’a zë liqeni i HC të Skavicës! Në emër të kësaj “dashurie” po shtyhet për në kalendat greke edhe ndërtimi i “Rrugës së Arbërit”! Pse do thoni ju? Sepse qeveria plasi nga marrazi që t’i bëj “alpinët” dibranë të mësohen me turizmin liqenor! Ajo po kërkon ta bëj Dibrën një Zvicër të vogël! Ku është problemi këtu?!

Por dibranët nuk duan që nuk duan të kuptojnë këtë qëndrim dashamirës të qeverisë ndaj Dibrës! Ata duket se e kanë kuptuar gabim ose nuk e kanë kuptuar edhe thelbin e mosndërtimit të “Rrugës së Arbërit”! Disa thonë se fajin për këtë e kishte qeveria e Kinës! Disa të tjerë thonë, se edhe po të mos e kishte qeveria kineze, pra kushdo që ta kishte fajin, kjo rrugë tashmë nuk u duhej, pasi, në vend të udhëtimeve të lodhshme nëpër lugina, qafa e gryka malesh, shumë shpejt, në saj të “dashurisë” qeveritare, dibranët do të lundronin nëpër liqen?!

Edhe pse mjaft idilike, njerëzit e thjeshtë nuk duan që nuk duan të kuptojnë se qeveria po punon me zell të madh, për të bërë të mundur, që dibranët punëtorë dhe të mençur, të shkojnë tek njeri tjetri me varka! Të shkojnë në punë me varka! Të dalin në pazar me varka! Të dalin shëtitje me varka! Të shkojnë edhe në dasëm me varka! Po, po! Shumë shpejt do të vijë dita që dibranët edhe dasmat t’i bënin me varka! Imagjinoni, krushqit me dhëndërin dhe nusen të hipur nëpër varka! Dhe tani e tutje dhëndurët dibranë, në vend të patentës së veturës do të duhej të marrin edhe patentën e drejtimit të varkës! Meqë çdo dhëndër i ri është drejtuesi i një familjeje të re, ai duhej të ishte i përgatitur si për sfidat e lundrimit ashtu dhe për dallgët e jetës! Dhe mendjengushtët do ta kuptojnë më në fund se kështu do të lulëzojë biznesi i varkave dhe motoskafëve! Se kështu jeta e popullit do të përmirësohet!

Por s’keni parë gjë akoma! Shumë shpejt do të vijë dita, që më të kamurit e dibranëve, do të blejnë edhe ndonjë motoskaf, madje ta nisin atë direkt nga bodrumi i vilës së ndërtuar ngjitur me liqenin imagjinar. Atëhere nuk do të jetë më në modë ndërtimi i garazheve të veturave në katin përdhes të vilave, por çdo vilë duhej pikësëpari të ndërtohej buzë liqenit dhe të kishte si pjesë organike të saj, garazhin e motoskafit! Pse çfarë kishin më tepër stambollinjtë e kamur, që dalin për çdo ditë në Bosfor me motoskafët modernë direkt nga bodrumi i vilave të tyre! Nën shembullin e stambollinjëve, edhe në Dibrën liqenore do të lulëzonte biznesi i kafeneve dhe çajtoreve në lokalet e shumtë në të dy brigjet e liqenit të Skavicës! Dibranët do të duhet ta kuptojnë se në fund të fundit, nuk ka ndonjë ndryshim të madh në do ta pije kafen apo çajin në Bosfor, në Uskudar, në Dollma Bahçe, Top Kapi apo në lokalet e brigjeve të liqenit të Skavicës! Por dibranët nuk duan që nuk duan të kuptojnë se qeveria është duke punuar për “të mirën” e tyre, që t’i “akulturojë” dibranët “alpinë”, të vështirë për t’u “akulturuar”! Pastaj, a nuk e kanë krahasuar vetë dibranët Dibrën me Stambolllin?! Asnjë qeveri deri më sot nuk ka mundur t’ia përafrojë Dibrën Stambollit, dmth që Dibra t’i përngjasoj Stambollit edhe gjeografikisht, pra të ndahet në mes nga një liqen i stërmadh! Ani pse dibranët nuk duan që nuk duan t’a kuptojnë qeverinë e tyre!