“Dosja 184”, dëshmitarët e mbrojtjes ankohen se u përndoqën dhe dhunuan nga opozita

2076
Një seancë gjyqësore për "Dosjen 184". Foto: Sami Curri

Ish-shefi i komisariatit të Peshkopisë Robert Aga, i pandehur në një prej gjyqeve që po zhvillohen për “Dosjen 184” për blerjen e votave në zgjedhjet e pjesshme në Dibër në vitin 2016, shpërtheu me akuza gjatë seancës së të mërkurës, në të cilën u pyetën dëshmitarë të thirrur prej tij dhe ish-administratorit të Lurës Hasan Hoti.

“Unë po pushkatohem pa gjyq. Prokurori më don të pushkatuar pa gjyq. Këtu do të duhej të ishin 200 veta”, tha Aga, pasi gjyqtarja e çështjes ndërhyu disa herë duke i kërkuar atij të mos i sugjestiononte dëshmitarët.

Aga këmbënguli se po viktimizohej, ndërsa tha se në gjyq duhej të ishin edhe drejtues të opozitës.  “Duhej të ishte edhe Lulzim Basha që më ka sharë nënën dhe motrën. Flamur Noka që rrinte me këta gjithë ditën dhe gjithë natën. Zonja gjyqtare i bini çekiçit sepse e keni vendosur që të më dënoni dhe mos pyesni më njerëz”, tha Aga, i cili është përgjuar duke u përgëzuar nga deputetë të shumicës për ndihmën që u kishte dhënë në fitoren e thellë të zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë e Dibrës në vitin 2016. Aga po ashtu është përgjuar në përpjekje për të ndaluar përmes policisë dërgimin në Tiranë të një video amatore që tregonte blerjen e votës.

Avokati Gentian Rumano që ndërhyri menjëherë pas këtij shpërthimi, kërkoi ndjesë për qëndrime të mbrojturit prej tij dhe u justifikua se ai ishte emocional.

Gjatë seancës u pyetën  3 dëshmitarë, nëse ish-shefi i komisariatit ka ndikuar drejtpërsëdrejti apo tërthorazi për të votuar në favor të njërit subjekt politik, gjithashtu edhe për zhvillime të caktuara në atë periudhë.

Sali Xhajko, shefi i sallës së komandimit në Komisariatin e Policisë Dibër në kohën kur u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme në vitin 2016-të, mohoi që të ishte ndikuar nga Aga dhe të tjerët për të mbështetur një subjekt të caktuar politik apo të kishte vendosur strukturat e Policisë së Shtetit në shërbim të një subjekti politik. “Unë nuk kam pasur dijeni që të ketë pasur ankesa, qoftë për Roberti ose për të tjerë”, tha Xhajko.

Ndërkohë Osman Doçi, i thirrur po ashtu si dëshmitar nga Robert Aga dhe që gjatë periudhës se zgjedhjeve të vitit 2016-të ka mbajtur detyrën e shefit të stacionit Policor në Maqellarë dhe të përgjegjësit të punonjësve të Policisë së Shtetit të shpërndarë në qendrat e votimit në zonën e Maqellarës, akuzoi deputetin e PD-së Flamur Noka se i kishte ndjekur dhe kërcënuar gjatë fushatës.

Ai tregoi se Noka i shoqëruar nga një numër i madh personash e kishin ndjekur atë dhe patrullën e policisë ditën e zgjedhjeve. “Teksa po largohesha nga posta e Policisë në Maqellarë kam parë makinën e Flamur Nokës që vinte pas nesh. Pastaj janë bërë afro 7-8 makina që vinin pas nesh”, tregoi Doçi.

Doçi tha se karvani i makinave nuk i kishte parakaluar edhe pse u ishte bërë sinjal që të kalonin dhe se ndjekja kishte vazhduar deri në një qendër votimi ku ndodheshin punonjës të tjerë policie. Ai tha se deputeti i PD kishte ndaluar makinën pas tyre dhe i kishte kërkuar atij llogari për vendndodhjen e Robert Agës. Por ai tha se nuk e kishte kallëzuar përplasjen.

Në sallën e gjyqit, dëshmoi për këtë çështje edhe Nuri Meda që po gjykohet në gjyqin paralel po për “Dosjen 184”. Meta pretendoi se gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2016-të ishte sulmuar fizikisht nga individ pa lidhje me zonën.

Ai tha se sulmi kishte ndodhur kur kishte shkuar në qendër të fshatit Pilafe, pasi ishte kontaktuar në telefefon se ishin grumbulluar njerëz dhe po shpërndaheshin lek. “Unë nuk kam bërë kallëzim penal, përpos një deklarate që më është marrë kur kam qenë i shtruar në spital. Njerëzit që më kanë sulmuar unë nuk i kam njohur fare, të zonës jo. Por kohë fushate kishte njerëz të ndryshëm”, tha Meda.

Ndërkohë  Gjykata e Dibrës nuk arriti të zhvillonte seancën e gjyqit ndaj ish-drejtorit të Zyrës Arsimore Drini Gjeci, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre e planifikuar po ashtu të mërkurën.

Gjyqtari, Edvan Veçani bëri me dije në fillim të gjyqit se një pjesë e viktimave nuk ishin paraqitur – policia kishte sjellë njoftim se ndodheshin jashtë Shqipërisë. Për një gjë të tillë ju la kohë për t’i ri njoftuar sërish edhe me shpallje publike.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë u dërgua në gjykatë në fund të vitit 2020, ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim e ndarë në dy pjesë.  Seancat e radhës për këtë çështje do të zhvillohen në datë 5 prill.