Protesta e çmimeve, si “Parti e qytetarëve”

639
Protesta e mbajtur në Tiranë më 12 mars 2020 kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve ushqimore. Foto: Nensi Bogdani - reporter.al

Nga Ndue Dedaj

Nuk është rritur vetëm nafta, është rritur çmimi i çdo produkti tjetër dhe ky është një alarm kundër spekullimit me tregun. Është rritur buka, mielli, vaji, orizi, frutat, perimet, gjithçka. Janë rritur biletat e udhëtimit të autobusëve, furgonëve, taksive. Me siguri edhe “Gabi” i ka rritur çmimet. Prandaj protestohet energjikisht. Qytetarët nuk mund ta përballojnë këtë situatë të rënduar çmimesh “lufte”, pa qenë në luftë, ndonëse nën ndikimin e luftës në Ukrainë.

Qeveria e anatemoi protestën duke i ngjitur bishta politikë, megjithatë ngriti një bord për monitorimin e tregut të hidrokarbureve, por ky bord duhet të jetë për gjithë tregun e mallrave të përdorimit të gjërë. Mundësisht brenda 24 orëve. Që të frenojë një orë e më parë matrapazët që mezi kanë pritur të mbushin xhepat në mënyrë të paligjshme. Një babëzi që dëshmon se jo vetëm nuk ka pikë humanizmi te një kategori tregtuesish zhvatës, por as përgjegjshmëri para ligjit dhe detyrim ndaj çmimit tavan.

Është qeveria e para që duhet të “protestojë” kundër rritjes arbitrare dhe abuzive të çmimeve, për ta penguar këtë marrëzi të tregtarëve të mëdhenj apo të mesëm, duke qenë në anën e qytetarëve në nevojë dhe jo palë me abuzuesit e tregut. E kur qeveria nuk bëhet garanti i një tregu me rregulla për qytetarët, sidomos kur ka vështirësi e kriza, atëherë ndodh protesta, e vetmja mundësi që ka publiku për të vendosur për fatin e vet.

Më në fund, duket se po lind “Partia” e protestës qytetare edhe në Shqipëri, mbase e marrë peng nga “shoqëria civile”, që asnjëherë nuk është ndjerë me gjithë forcën që ajo duhet të ketë. Ndaj mirënjohje për protestuesit e këtyre ditëve kundër rritjes së çmimeve të energjisë etj., të cilët në jo pak raste kishin dalë bashkë me fëmijët e tyre që i mbanin përdore ose në krah. Çdo nismë apo lëvizje e komunitetit për interesa publike përtej partive, përshëndetet nga të gjithë, paçka se jo të gjitha duartrokitjet shihen, ngaqë jo të gjithë njerëzit ndihen të lirë të protestojnë si qytetarë.

Çmimet kanë prekur dhe nëpunësit e shtetit kudo, në arsim, shëndetësi, bashki, ministri; edhe policët që shoqërojnë në komisariate protestuesit pa asnjë faj, edhe gjykatësit që japin masat e arrestit për ta. “Uniforma” e shtetit që mbajnë disa nëpunës nuk është logjike t’i pengojë ata si qytetarë të lirë të protestojnë për të drejtat e tyre. Një ushtaraku nuk i lejohet të hyjë në parti politike, por nuk pengohet nga ligji të dalë në sheh me qytetarët e tjerë në orët kur nuk është në detyrë, po pushim.

Në këtë histori, nuk ka kuptim të ketë dy palë, njëra që e do dhe e bën protestën dhe tjetra që e ndëshkon atë në emër të ligjit?! Policia duhet të të mjaftohet me vëzhgimin e protestave dhe jo të mbushë furgonat me të ndaluar e të shoqëruar. Protestat e padhunshme nuk e cenojnë rendin dhe sigurinë publike. Serioziteti, masiviteti dhe kultura e protestave, që veç sa vijnë e shtohen në të gjithë vendin, këtë mars të trazuar, tregon se sa e nevojshme është ajo për të ruajtur ekuilibrat e brishtë të tregut dhe të jetës sociale.

Në protestën e sotme (të shtunës) para Kryeministrisë pamë të flisnin dhe disa aktorë të njohur humori, që nuk kanë aspirata politike si ish-kolegu i tyre në Ukrainë Zelenski, tashmë president i vendit (çka nuk do të kishte ndonjë të keqe), të cilët e kanë ndjerë të nevojshme të bëhen zëri i qytetarëve edhe përmes tubimesh të tilla protestuese. Shpresojmë që atyre t’iu bashkohen dhe artistë e intelektualë të tjerë. Ende shoqëria jonë nuk e ka luksin që artistët të flasin vetëm me gjuhën e artit të tyre në skenë dhe ekrane, profesorët vetëm nga katedra etj.

Foltorja publike është gjithëpërfshirëse për vetë interesat e mëdha që përfaqëson, si kjo protestë kombëtare dhe, në këtë qasje, do të ishin të mirëpritur veçmas ekspertët e ekonomisë për t’iu shpjeguar njerëzve (pa kompromis me askënd dhe drojën e askujt) pse u krijua kjo “maratonë” çmimesh dhe si duhet ndaluar.

Do të ishte e palejueshme nëse partitë (për mendimin tonë të dështuara në kauzat publike) do të përpiqeshin ta përdornin këtë protestë për intersat e tyre politike. Përkundrazi, protesta qytetare, e ngritur hap pas hapi e ditë pas dite në institucion, mund të shërbejë për të pasur një tjetër realitet politik në vend, krejt i ndryshëm nga ky i sotmi, kur klasa politike ka rënë. Kjo nuk do të thotë asesi që njerëzit e politikës duhet të qendrojnë larg protestës si qytetarë, apo dhe si formacione politike, por si të tilla, të gjejnë veten pa përlarë “flamurin”.

Protestat kanë fuqinë të krijojnë parti, edhe kur partitë nuk arrijnë të bëjnë protesta për shkak të pazotësisë së tyre. Mjafton shembulli i lëvizjes protestuese të Dhjetorit 1990, që çoi në krijimin e partisë së parë opozitare shqiptare. Ashtu siç greva e sindikaliste e minatorëve të Valiasit çoi në rrezimin e njërës nga qeveritë e kohës. Sa herë bie fjala për protestat qytetare, jo rastësisht sillet si shembulli më kuptimplotë protesta e të rinjve dhe mjedisorëve në sheshin “Skënderbej” kundër sjelljes së armeve kimike për t’i shkatërruar në Shqipëri.

Protestat qytetare nuk kanë një prapavijë tjetër, përpos asaj që kanë shpallur, kësaj here: çmimet e rritura rrufeshëm dhe shtrenjëtimin e menjëhershëm, artificialisht të jetesës. Nuk është e rastit që protestuesit nuk bëjnë selfie në rrjetet sociale, që t’i shohin shefat e partive se ishin aty, pasi ata nuk kanë parti tjetër, pos protestës, e cila me gjasë do të të formulojë disa “urdhërime”: ka një cak që nuk mund të kalohet as nga kompanitë tregtare (abazimi me çmimet), as nga qeveria (nënvleftësimi i protestës dhe intimidimi i protestuesve), as nga politika (keqpëdorja e protestës), sigurisht as nga vetë protestuesit – për të mos thyer qoftë dhe një xham.