Qytetarët e Bulqizës sot në protestë kundër rritjes së çmimeve

948
Protesta kundër rritjes së çmimeve

Këtë të enjte është lajmëruar protestë, kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve ushqimore. Në njoftim thuhet se protesta do të zhvillohet në orën 17:00 në afërsi të mbikalimit tek Lagjja e Re në Bulqizë, rruga nacionale Peshkopi – Tiranë.

“Në linjë me protestat e shumta mbarë kombëtare që po zhvillohen, kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve ushqimore. Ne si qytetarë kërkojmë që institucionet të reduktojnë apo heqin disa nga taksat e naftës dhe të produkteve të shportës – të marrin masa urgjente ndaj abuzuesëve për rritjen e çmimit të karburantit.” thuhet në njoftimin e shpërndarë publikisht.

Ditën e djeshme në Tiranë u zhvillua protestë masive e qytetarëve, thirrur nga shoqëria civile. Ata kërkuan që qeveria të ndërhyjë për të marrë nën kontroll rritjen drastike të çmimeve të cilat në Shqipëri kanë pësuar ngritjen më të madhe se në çdo vend tjetër në Europë dhe në rajonin e Ballkanit. Në kërkesat e tyre ka qenë një paketë fiskale nga qeveria si ndihmë ndaj qytetarëve për të përballuar rritjen e çmimeve.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama, ditë më parë në një konferencë për media u shpreh se kjo ishte një situatë lufte dhe teksa nuk paraqiti një plan konkret, u kërkoi qytetarëve shqiptarë që thjesht “të shtërngonin dhëmbët”.