Gjetjet kryesore të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për procesin zgjedhor në Dibër

723
Procesi zgjedhor në Dibër, 6 mars 2022. Foto: Sami Curri

Kodi Zgjedhor, në nenin 106 pika 4 të tij ka parashikuar se anëtarët dhe sekretari i KQV-së votojnë pasi kanë votuar të gjithë zgjedhësit e pranishëm në QV, brenda orarit zyrtar. Në pjesën më të madhe të QV të monitoruara është konstatuar se ky detyrim ligjor nuk është respektuar, pasi ata kanë votuar shpesh herë të parët dhe në disa raste të tjera gjatë mesditës së ditës së votimit ose para se të afronte orari zyrtar i mbylljes.

KQV-të e monitoruara në Bashkinë Dibër reflektojnë praktika të ndryshme, ku në disa raste nuk respektohen veprimet për heqjen e vizës së zgjedhësve në listë, të cilët votojnë, si dhe nënshkrimit nga ana e zgjedhësve. Këto veprime janë të detyrueshme sipas nenit 105 gërma ç) të KZ por sipas anëtarëve të disa KQV-ve, prezenca e pajisjes PEI e bën jo të detyrueshme (QV nr. 1139, 1139/1, 1142/1, 1189). Boja e timbrosjes e verifikuar nga ana e vëzhguesve të KShH-së nuk ka rezultuar e një cilësie të mirë, fakt ky që i është bërë me dije edhe anëtarëve të KQV nr. 1141/1, 1111.

Shkëputje e energjisë elektrike është regjistruar rreth orëve të pasdites (18.00) në QV 1441, 1141, 1141/1. Në disa QV, duke parë fluksin e ulët të vëzhguesve, apo mungesën e energjisë elektrike, anëtarët kanë vijuar me veprime të parakohshme për mbylljen e QV (rreth orës 18.23 në QV nr. 1164 dhe nr. 1111, në orën 18:44 në QV 1189, KQV 1100 ka vendosur të mos pranojë zgjedhës për shkak të mungesës së funksionimit të pajisjes PEI). Në tërësi, QV-të e monitoruara në Bashkinë Dibër e kanë mbyllur procesin brenda orarit ligjor të përcaktuar.

Gjatë veprimeve të mbylljes së votimit është konstatuar se anëtarët e KQV-ve në pjesën më të madhe të QV-ve kanë dëshmuar nivele të ulëta njohurish si rezultat edhe i mosndjekjes së trajnimeve të zhvilluara nga KQZ. Ata kanë shfaqur paqartësi rreth respektimit të radhës së veprimeve lidhur me raportin e printuar nga PEI, numërimin e fletëve të papërdorura apo të dëmtuara, reflektimin në procesverbal, futjes së procesverbalit origjinal të mbylljes së procesit të votimit në QV, vendosjes së vulave të sigurisë, etj. Në raste të caktuara, është vërejtur një angazhim aktiv i vëzhguesve partiakë apo operatorit që sugjeronin kryerjen e veprimeve, me argumentin se kishin përvojë të gjatë në proceset zgjedhore të mëparshme.

KShH vlerëson masat organizative të marra nga ana e Policisë së Shtetit, pasi në të gjitha rastet e monitoruara në Bashkinë Dibër, është evidentuar transportimi i materialeve zgjedhore dhe kutive të votimit nën shoqërimin e një punonjësi të Policisë, anëtari të KQV dhe sekretarit. Automjetet për transportimin e këtyre materialeve nuk kanë qenë me sigla orientuese.