Trafik klandestinësh, policia ndalon katër persona dhe shpall në kërkim dy të tjerë

1372
Gjatë operacionit policor i koduar “SMUGGLING”

Policia e Dibrës ka arrestuar katër persona dhe shpallur në kërkim dy të tjerë si dhënie të ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve.

Policia bën me dije se 23-vjeçari, Ahmet Meslima me origjinë nga Siria, 39-vjeçari Durim Domi, dhe 20-vjeçaret Artemisa Ahmataj dhe Jesmira Korhysa, transportonin emigrantët sirianë nga Turqia nëpërmjet Greqisë për në Shqipëri. “Strehimin e tyre në hotele të ndryshme në Tiranë, gjetjen e personave për të kryer transportimin e tyre, duke ndjekur rrugën e Arbrit në drejtim të qytetit të Peshkopisë, me qëllim kalimin e tyre për në Kosovë, Serbi dhe Hungari.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Shuma e parave që çdo emigrant i paligjshëm paguante varionte nga 4000 deri në 6000 euro, të cilat i  kryenin nëpërmjet kompanive për shërbimet e transfertave të parave. Gjatë operacionit, këta shtetas janë kapur në flagrancë në një hotel, gati për të transportuar 5 shtetas sirianë. Gjithashtu është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” edhe 68 vjeçari me inicialet P. P.

“Janë shpallur në kërkim shtetasit: M. A., me origjinë nga Siria, i cili siguronte mjetet e transportit për kalimin e kufirit dhe A. M., me origjinë nga Siria, i cili ndihmonte dhe shoqëronte emigrantët, kryesisht ata nga Siria, për kalimin e kufirit me Kosovën, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Sipas Policisë, këta shtetas janë autorët e dy rasteve të tjera të tentativës për të transportuar emigrantë të paligjshëm, gjatë muajve janar dhe shkurt. Në momentin që janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Dibër, këta shtetas, duke përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë kanë braktisur mjetet dhe janë larguar.   

“Gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të këtij operacioni janë kapur dhe shoqëruar gjithsej 35 shtetas sirian. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 automjete, një laptop, 12 telefona celularë, 1000 euro dhe 5 pasaporta.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Prej vitit 2018, fluksi i emigrantëve të parregullt të ndaluar në Shqipëri është rritur në mënyrë eksponenciale, duke e kthyer vendin në një korridor të rëndësishëm të lëvizjes së emigrantë drejt vendeve të BE-së.

Ndërkohë referuar të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në Shqipëri për 10 muajt e vitit 2021 janë shënuar 14,013 emigrantë të huaj të parregullt. Përgjatë periudhës Tetor 2017-2021 numri mesatar i emigrantëve të huaj të parregullt të kapur në vend është 1,272 persona.