Bulqizë, aty ku të rinjtë janë simboli i “Ditës së verës”/ Foto+Video

743

REPORTAZH nga Geri Emiri

Zbritja graduale e Qafës së Buallit, shfaq qytetin që shtrihet në këmbët e minierës. Bora e rënë një ditë më pare, është shkrirë në çdo rrugë, por në zonën mineralmbajtëse D, temperaturat e ulëta e ruajnë me fanatizëm këtë karakteristikë të Bulqizës në dimër.

Është pasdite dhe në Qytetin e Ri rrugët janë të qeta. Tek-tuk duket ndonjë makinë apo këmbësor që hyn në ndonjë dyqan ushqimor apo bar.

Zhurma që e karkaterizon pedonalen në Qytetin e Vjetër, duket se është mbyllur në baret ku tymoset cigare. Me të shkuar ora 7 e mbrëmjes, fëmijë që ecin nxitimthi duken kudo. Dikush shtyn një gomë, e dikush tërheq një degë peme. Duket sikur do nis një demonstratë dhe në krye saj janë fëmijët. Ndoshta bora që i ka rrethuar prej muajsh, i shtyn që të krijojnë “barrikada” nëpër rrugë.

Nata e 13 marsit për ta, është e treta që e zbardhin përbri zjarrit, duke i uruar mirë se ardhjen agimit të datës 14 mars, “Ditës së verës”.

Për të vizituar fshatrat e Bulqizës, futemi në segmentin e përfunduar të “Rrugës së Arbërit”, nga ku nisin të dallohen vatra të shumta zjarri. Pothuajse çdo lagje e ka nga një “përfaqësi” të rinjsh, që kanë trashëguar brez pas brezi traditën e pritjes së pranverës dhe përcjelljes së dimrit.

https://www.facebook.com/bulqizaime/videos/1885242498410621/

Në fshatin Vajkal, vijim i Luginës së Dibrës, era është e acartë dhe temperaturat të ulëta. Fëmijët që ja dinë këtë hile motit, i kanë marrë masat. Përbri Zallit të Bulqizës, kanë rreshtuar goma shumë herë më të mëdha se vetë fiziku i imët i tyre.

“Janë goma kamioni ‘IFA’. I kemi marrë pa lekë tek disa të njohurit tanë”, na sqaron një prej djemve. Përgatitjet djemtë dhe vajzat i kanë nisur ditë më parë. Caktojnë se ku do t’i sigurojnë degët e pemëve, gomat dhe mënyrën e transportit.

Në fshatin “Kokërdhak”, përbri zjarrit janë rreshtuar edhe të rriturit. Një grua e moshuar na uron mirë se ardhjen, duke na puthur në të dyja faqet dhe uruar për më shumë begati e shëndet. Mjafton të kthesh kokën sa majtas-djathtas dhe kupton se vatrat e zjarrit i konkurrojnë dritat e shtëpive.

Gomat e veturës zhyten në gropat e rrugës së pandriçuar, që na dërgon në fshatin “Dushaj”. Mbi xhamin e automjetit, së largu na drejtohet një dritë miniere. I përshëndesim me bori djemtë dhe vajzat që po piqnin mish në skarë, e vazhdojmë rrugën e rrethuar nga të dyja anët me pemë të zhveshura.

Muzika me bas dhe gazi e hareja dëgjohen në mesin e një tarrace kodre. Djemë dhe vajza të rritur, gjimnazistë dhe studentë, janë mbledhur për të festuar e çuar përpara një traditë shekullore.

Më shumë se kuptimi pagan i kësaj dite, duket se banorëve të këtyre trojeve zjarri i shërben si një “kuvend” për forcimin e vëllazërisë dhe harmonisë midis njëri-tjetrit.

Më të rriturit bien herët të flenë, për të nisur herët ditën që simbolizon të renë dhe begatinë, me shkëmbimin e vizitave dhe drekën me ushqim tradicional të zonës.

Teksa kthehemi për në Bulqizë, hije të rinjsh lëvizin kudo në fusha, përbri zjarrit pranë të cilit zhvillohen edhe lojëra “kukafshehti” apo “kala dibrançe”.

/bulqizaime.al/