Në vitin 1977-të shtëpia e Mustafa Shehut në Zerqan të Bulqizës u shpall monument kulture, për vlerat historike që mbart, por njëkohësisht edhe arkitekturore. Menjëherë sapo u shpall monument kulture, i’u nënshtrua edhe rikonstruksionit total, por që ky ishte edhe i fundit, pasi që prej 45 vitesh nuk ka pasur asnjë restaurim tjetër edhe pse shumë e domosdoshme. Kjo shtëpi është akoma në këmbë falë kujdesit që kanë treguar anëtarët e familjes Shehu, pasi institucionet e kulturës nuk e kanë marrë mundimin për t’i hedhur sytë nga kjo shtëpi me vlera të mëdha historike.
Mustafa Shehu ishte udhëheqës i luftës së Gjoricës në 1844 që kryesohej nga Hajredin Pasha. Në vitin 1893 Sulejman Shehu i kthyer nga Turqia, arriti të hapë shkollën e parë private në gjuhën shqipe. Banesa i ngjan një kompleksi banimi, pasi është ndërtuar në një sipërfaqe të madhe.
Historia e kësaj shtëpie, siç na tregon edhe pinjolli i familjes, Naim Shehu është e lidhur ngushtë me Teqen e drejtimit Kadri, ndërtuar në vitin 1735 dhe e cila ndodhet vetëm pak metra larg shtëpisë. Në këtë shtëpi, Naimi na tregon se kishte qëndruar edhe Abdyl Frashëri, gjatë kohës që po udhëtonte për në drejtim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por edhe personalitete të tjera të kohës. Kjo familje ishte nga të paktat në Shqipëri e cila kishte një flamur të sajin, i cili ditën e sotme gjendet në Muzeun Kombëtar.
Në ciklin e videove N’KULLË, synojmë që të vizitojmë këto banesa dhe të tregojmë historinë, arkitekturën dhe rrëfime njerëzore, për të ndihmuar që në të ardhmen këto banesa të kthehen në atraksione turistike. Por edhe për të informuar brezin e ri, për historinë e kësaj zone.