Intervistë me Prof. Dr. Sokol Mati, ekspert për sektorin minerar
Teksa kërkesa për lëndë të para në tregjet globale mund të ndikojë sektorin minerar global në përgjithësi, në Shqipëri është e vështirë të parashikosh zhvillimet e këtij viti.
Për ekspertin e sektorit minerar, Prof. Dr. Sokol Mati, 2021 ishte i vështirë për subjektet që operojnë në këtë lloj aktiviteti, edhe për shkak të klimës së biznesit të vështirë, me burokraci të shumta e legjislacion të mbivendosur.
Ai nënvizon se sektori i metaleve parashikohet të ketë rritje të lehtë të çmimeve, por ky efekt pozitiv do të shuhet nga kostoja e energjisë, e cila do të ndikojë thellësisht aktivitetin.
Si ishte viti 2021 për sektorin minerar në tërësi? Si u ndikua situata nga rritja e kërkesës për lëndë të para post-pandemi dhe çmimet?
Viti 2021, i parashikuar i vështirë nga vetë ecuria e vitit 2020 dhe nga fakti që për sektorin minerar, tashmë parashikimet me një luhatje çmimesh larg logjikës normale të papashmeve bëjnë që të mos jesh realist, rezultoi pozitiv për një shumicë të madhe të subjekteve minerare.
Duhet nënvizuar, nga raportimet e 9-mujorit të vitit 2021, se për kompanitë e mesme dhe të mëdha, rezultoi me një bilanc të përmirësuar vjetor. Kjo falë ndryshimeve të qenësishme graduale, në rritje, të çmimeve të metaleve kryesore që ne prodhojmë si bakri, nikeli, dhe në nivele më të ulëta relativisht dhe të kromit.
Gjatë vitit u vu re një rritje e ndjeshme e prodhimit në bakër, me rreth 80% krahasuar me vitin 2020 (viti 2020 – prodhim mineral bakri 333715 tonë, koncentrat bakri 28181 tonë – burimi AKBN), shpresohet për 8-12% rritje në nikel (viti 2020 – xeheror hekur nikeli 432673 tonë – burimi AKBN), pasi gjithsesi çmimet e nikelit, pavarësisht rritjes së tyre globalisht, nuk japin ndikim të drejtpërdrejtë te ne, pasi ne nuk kemi objektet tona përpunuese.
Ndërsa në krom, rritja e çmimeve, e qëndrueshme gjatë gjithë periudhës, bëri që sidomos kompanitë e mesme dhe të mëdha (sipas vlerësimit tonë) të rrisnin prodhimin në krahasim me 2020 (krom 626627 tonë, koncentrat kromi 30861 tonë, ferrokrom 53543 tonë – burimi AKBN). Përqindjet për kromin janë pak evazive, pasi një pjesë e prodhimit nuk është raportuar, ngaqë nuk është shitur ndikuar nga çmimet e ulëta për të mos u bërë subjekt i pagimit të rentës.
Gjatë 2021 u vu re që pothuajse gjithë kompanitë që vazhduan punën, vijuan dhe të shisnin me fitime të vogla, por të qëndrueshme, duke u munduar të mbulojnë humbjet e pësuara në periudhën e pandemisë. Situata ishte jo e njëjtë për kompanitë e vogla, duhet të kemi parasysh që gjatë vitit 2020, 217 subjekte (ku rreth 60% i përkasin kompanive të vogla të kromit) nuk prodhuan fare, ato nuk mundën të realizonin as investime dhe si të tilla, pavarësisht se nuk ka një raportim përfundimtar për 2021, pritet që një shumicë e madhe e tyre të mbyllen. Disa prej tyre vazhduan të prodhonin gjatë 2021.
Për sa u përket subjekteve që punojnë në materialet ndërtimore, situata e tyre, në logjikën e ecurisë së sektorit të ndërtimit këto dy vite duhet të jetë pozitive. Por realisht, në vlerat e statistikave të raportuara, nuk vërehet ndonjë ndryshim i madh që të reflektojë numrin e madh të ndërtimeve në këto vite. Numri i punonjësve, nga 5187 punonjës në 2020, ka shënuar rritje, falë rikthimit në prodhim të disa objekteve minerare të mbyllura.
Po për sektorin minerar shqiptar, çfarë është vënë re, a po fitojmë më shumë nga kjo panoramë e re, apo po humbasim?
Pavarësisht ecurisë pozitive të tremujorit të fundit të 2020 dhe të këtij viti, në sektor vihet re një ngërç i madh i shkaktuar nga vetë ne. Është e vërtetë që kemi fituar më shumë në disa sektorë dhe çmimet e metaleve na favorizuan, po ashtu dhe globalisht kërkesa që lëndët e para për metale është rritur, falë tendencës për energjitë e pastra.
Këto dy elemente nuk po përkthehen në veprime strategjike konkrete pragmatiste, afatshkurtër dhe afatmesme, për nxitjen e sektorit. Humbjet në biznesin minerar të dy viteve të fundit, me probleme të organizimit të strukturave të tij, kërkojnë nga strukturat shtetërore, mendësi të re në qasjen e tyre për përmirësimin e klimës së biznesit.
Përkundrazi, vërehet bashkëveprim i vonuar i strukturave përgjegjëse me biznesin. Gjatë vitin 2021 është vazhduar me hartimin e akteve ligjore, që mbivendosin njëri-tjetrin, duke bërë që kakofonia e ligjeve të cilat mbulojnë sektorin (legjislacion minerar, mjedisor, të taksave) të jetë një mjet në dorë të administratës.
Por, nuk ka qenë një mjet për të mbështetur sektorin dhe për të rritur të ardhurat prej tij, si për biznesin dhe për shtetasit shqiptarë, por për vendime arbitrare jo rrallë të jashtëligjshme, me shumë vështirësi për të gjetur zgjidhje administrative, apo dhe gjyqësore, si në aspektin e përfitimit të së drejtës, por dhe të afateve të saj, të cilat kanë shkaktuar bllokime jo të vogla të prodhimit minerar.
Mendësia e re që shprehet në dokumente strategjike apo diskutime të ndryshme nuk po përkthehet realisht në ndikim pozitiv. Mbështetja ligjore, e dhënë për përpunimin e mineraleve nga të gjitha veprimet, apo masat e institucioneve shtetërore, nuk ka qenë e tillë, promovimi i burimeve të reja ende mungon, dhe kjo vërehet në mosrespektimin e afateve të publikimit të planeve të zhvillimit.
Gjatë vitit 2022, efekti pozitiv i tregut të lirë të energjisë elektrike, në konceptin e një ekonomie të lirë, nuk do të sjellë avantazh për industrinë përpunuese të mineraleve, e cila, në strukturën e kostos, energjinë e ka në nivelet 30-50% (pasurim, metalurgji).
Subjektet janë të papërgatitura, konkurrueshmëria në treg është shumë e vogël, niveli i çmimeve me ndryshim me herë, mund të çojë në mbyllje të objekteve përpunuese dhe në këtë mënyrë, dhe të minierave prodhuese, pasi produkti përfundimtar nuk do të jetë efektiv me gjithë rritjet e çmimeve të ndodhura globalisht, duke e bërë industrinë tonë minerare jokonkurruese për disa sektorë të saj.
A ka pasur interes për investime nga kompanitë? Po shitblerje, për shkak të pasojave që la periudha e pandemisë?
Në situatën globale të rritjes së çmimeve dhe kërkesës në rritje për xeherorë, sidomos për bakër, nikel, kobalt, nuk është vërejtur gjatë 2021 ndonjë interes real, i shprehur dhe i përkthyer në investime të reja. Efekti negativ i pandemisë i viteve 2019-2020 nuk u përkthye me një rritje të investimeve të reja në sektor. Përkundrazi, fakti që disa prej kompanive minerare synojnë të nxjerrin në treg të drejtat minerare me investimet e realizuara në to tregon që ka problematika në vetë ecurinë e sektorit.
Këto problematika fillojnë nga moszbatimi korrekt i ligjit, tendenca e zbatimit të urdhrit të eprorëve dhe jo ligjit nga administrata shtetërore, të mbivendosjes së ligjeve të fushave të ndryshme që lidhen me sektorin, promovimit të pakët, mungesës së vazhdimësisë në rivlerësim të potencialit tonë minerar sipas standardeve ndërkombëtare.
Zhvillimi i qëndrueshëm në gjykimin tim, kërkon: liri të zhvillimit ekonomik të bazuara në ligje; ligje, të cilat gjatë hartimit janë transparente, gjithëpërfshirëse, të mirëpërcaktuara, pa ekuivokë interpretimi, jo të mbivendosur nga legjislacione të tjera, të qëndrueshme në kohë; ligje të miratuara me debat real dhe të zbatuar me rigorozitet nga institucione të qëndrueshme ligjore, që përbëhen nga një administratë e përzgjedhur me ligj, e qëndrueshme dhe e aftë profesionalisht, që respekton ligjin dhe jo urdhrat e porositë.
Administrata duhet të punojë shumë në përmirësimin e klimës së biznesit, partneritetit dypalësh biznes – shtet, t’i mëshojë më shumë funksionit këshillues, orientues, mbështetës për biznesin në konceptin administrativ dhe teknik dhe jo thjesht të mbikëqyrjes dhe të vendimeve arbitrare.
Si e prisni vitin 2022, duke pasur parasysh se mungesa e lëndëve të para do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi industri të ndryshme dhe zinxhirët e furnizimit të mbetën të paqëndrueshëm? Po çmimet?
Çmimet e metaleve do të jenë në këto nivele, ndoshta dhe më pak rritje, gjë e cila do të favorizojë sektorin e metaleve i cili gjithsesi do të goditet fort nga çmimi i energjisë dhe këto dy ndikime që kundërshtojnë njëri-tjetrin e bëjnë të paqartë situatën.
Planet e investimit nga aktorët kryesorë të sektorit të metaleve po afrohen në kohë, dhe kjo ka efektet e saj dhe në rritje të punësimit. Po rritet vështirësia e gjetjes së personelit të kualifikuar, jo vetëm për shkak të largimeve masive nga zonat rurale, por dhe të nivelit të ulët profesional të inxhinierëve të rinj të nxjerrë nga shkollat tona.
Sektorët e tjerë të tregut vendas, kryesisht ata të materialeve ndërtimore, do të vazhdojnë të kenë një punë që qëndrueshme, mbështetur nga fakti i nivelit të ndërtimeve në vend, por dhe ato të eksporteve të gurëve dekorativë, në një kërkesë të rritur rajonale do të kenë rritje të qëndrueshme.