Dibra zbardhet nga bora, ndalohet qarkullimi në rrugën e Arbërit

672
Aksi nacional Bulqizë-Peshkopi

Ulja e ndjeshme e temperaturave kanë sjellë reshje të borës që prej mëngjesit të së premtes në të gjithë qarkun e Dibrës. Reshjet janë me intensitet të ulët, ndërsa nuk raportohet për zona të bllokuara.

Policia Rrugore apelon drejtuesit e mjeteve që të kenë kujdes në të gjitha akset rrugore, ndërsa nuk do të lejohet kalimi i automjeteve në drejtim të bypass-it në rrugën e Arbërit dhe në qafë Murrizë. “Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në të dyja kahet e lëvizjes dhe nuk do të lejojnë asnjë drejtues mjeti të qarkullojë deri sa rruga të pastrohet plotësisht nga kontraktorët.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Gjithashtu edhe kompania koncesionare që po kryen punimet në rrugën e Arbërit, Gjoka Konstruksion bëri me dije se rruga do të qëndroj e bllokuar për shkak të reshjeve të borës. “Për këtë arsye rruga e Arbërit do të jete e mbyllur deri në një komunikim të dytë.” Policia apelon drejtuesit e mjeteve të ndjekin aksin rrugorë Klos-Burrel-Ulëz dhe të mos shkaktojnë trafik.

Vendi ynë në orët në vijim pritet që të fut në një valë me temperatura të ulëta në vlera negative në të gjithë zonat. Sipas MeteoAlb duke filluar nga mëngjesi i të shtunës e deri pasditen e të mërkurës, temperaturat në vendin tonë do të jenë në vlera negative dhe do të ketë prezencë të erës së ftohtë.

Sipas MeteoAlb i gjithë rajoni do të përfshihet nga i ftohti që vjen nga poli i veriut, por temperaturat janë tipike të një dimri. Zonat më të ftohta do të jenë ato të verilindjes dhe të juglindjes, ku termometri do të shënojë deri në -20 gradë në zonat e thella malore.