ILD kërkon shkarkimin e prokurores së Dibrës, Belina Zeneli për “mospërmbushje të funksioneve”

549
Godina e Gjykatës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër. Foto: Bulqizaime.al

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dëgjoi të enjten rezultatet e hetimit disiplinor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ndaj prokurores së Dibrës, Belina Zeneli (Kryemadhi) dhe mbrojtjen e kësaj të fundit.

Përfaqësuesja e ILD-së lexoi në seancë se prokurorja Zeneli ishte gjetur nga hetimi disiplinor me shkelje të rënda të Kodit të Procedurës Penale, pasi nuk kishte ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe kishte mbajtur pezull mbi 33 çështje, statusi i të cilave ishte ende i paqartë dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për mbi 300 kallëzime.

“Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të magjistrates, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33  procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime,” thuhet në kërkesën e ILD për procedim disiplinor.

Përfaqësuesja e ILD-së tha që shkeljet ishin shumë të rënda dhe kërkoi që prokurorja të shkarkohej. “Veprimet dhe mosveprimet e magjistrates B.Z. përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore “Shkarkim nga detyra””, thuhet në kërkesën e ILD-së.

Prokurorja Zeneli i kundërshtoi gjetjet edhe pse mbrojtja e saj nuk qe fort e qartë. Ajo këmbënguli se kishte punuar me devotshmëri, nuk ishte tërhequr asnjëherë nga hetimet, por la të kuptohej se ngarkesa e madhe dhe eprorët e kishin penguar në punën e saj. Nuk jam tërhequr as në 97,’ tha Zeneli duke iu referuar dosjeve që kishte hetuar.

Prokurorja tha se një pjesë e çështjeve për të cilat ishte hetuar kishin hetime dhe veprime të kryera prej saj. Zeneli këmbënguli se mjaft prej tyre ishin të parëndësishme dhe ishin mbajtur hapur me vendime të padrejta të eprorëve. Ajo tha se në disa raste eprorët kishin refuzuar vendimmarrjen e saj dhe se ishte ngarkuar padrejtësisht me çështje edhe në kohën kur kishte qenë me leje.

E pyetur nga anëtarët e KLP-së në lidhje me  ngarkesën, prokurorja nuk qe në gjendje të jepte përgjigje konkrete se sa çështje kishte hetuar. Ajo tha se veç kësaj ngarkese ishte marrë me urdhrat e ekzekutimit dhe një mori punësh të tjera. Zeneli tha se shumë prokurorë ishin larguar nga prokuroria e Dibrës pikërisht për shkak të ngarkesës dhe shtoi se këto largime e kishin penalizuar për shkak se ishte ngarkuar edhe me punë të pakryer prej tyre.

Zeneli po ashtu nuk qe në gjendje të fliste për statusin e çështjeve konkrete për të cilat ishte hetuar. Ajo tha se nuk dinte të thoshte nëse një person që kishte një masë sigurimi “arrest shtëpie” që prej vitit 2013 vijonte ende të ishte nën këtë masë. Dhe nuk u përgjigj për pyetjen nëse kishte apo jo shkelje të drejtave të njeriut.

Në fund të seancës, prokurorja e cilësoi masën e kërkuar ndaj saj si ekstreme dhe i kërkoi KLP-së të mbante parasysh ngarkesën në punë dhe një sërë rrethanash që i paraqiti në seancë.

KLP i dha akses medias në mbledhje përmes platformës Zoom, por një pjesë e debatit që u zhvillua në seancë nuk mund të ndiqej pasi pjesëmarrësit folën pa mikrofona.