Dibër, emërtohet një rrugë me emrin Artan Cuku

847
Emrin e ish-kryekomisarit, Artan Cuku i vrarë me 8 prill të vitit 2017-të, pranë banesës së tij do ta mbajë një rrugë në qytetin e Peshkopisë. Foto: M. Jangulli

Me kërkesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe me mbështetjen e institucioneve vendore, rruga që të dërgon për tek muzeu i Dibrës, do të mbajë emrin e Artan Cuku.

Cuku është vrarë me 8 prill të vitit 2017-të për shkak të detyrës në Policinë e Shtetit, pranë banesës së tij në Tiranë. Këtë të premte u zhvillua një ceremoni e veçantë me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve vendore në Dibër.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano në fjalën e tij, tha se vepra e atyre që dhanë jetën në krye të detyrës apo për shkak të detyrës, do të përjetësohet edhe në emërtimin e rrugëve apo shesheve në të gjithë vendin.

“Miku, shoku e kolegu ynë Artan Cuku u vra për shkak të detyrës, pavarësisht se nuk ishte më në radhët e Policisë së Shtetit, por për shkak të detyrave që ai kishte kryer, krimi gjeti momentin për t’i marrë jetën. Ngjarje tronditëse për të gjithë shoqërinë, shumë e dhimbshme për familjarët dhe shumë e trishtë për Policinë e Shtetit. Jo rastësisht sot e kujtojmë Artan Cukun, në ditën e tij të lindjes, për ta kujtuar për gjithçka që bëri në luftën kundër krimit, për ta kujtuar atë siç ishte gjithmonë, energjik dhe i qeshur.” u shpreh Nano në fjalën e tij.

Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se është nder për krahinën që emri i Artan Cukut të jetë i dukshëm çdo ditë për qytetarët.